Edhe këtë vit të ri shkollor për shkak të procesit të rindërtimit, shumë shkolla të arsimit parauniversitar në Durrës do ta zhvillojnë mësimin në turnin e pasdites, në shkollat pritëse.

Në garë me kohën, dy gjimnazet kryesore të qytetit “Gjergj Kastrioti” dhe “Naim Frashëri”, si dhe shkolla e mesme sportive nuk kanë nisur ende nga ndërtimi. Këtë shtator nuk do të hapin dyert as dy shkollat e mesme në Shkozet e Sukth, si dhe disa shkolla 9-vjeçare.

“Jam mësuar që gjithnjë ta bëj shkollën në turnin e pasdites dhe është pak e sikletshme pasi kam dhe aktivitete të tjera pasdite. Kjo më pengon.”

“Është shqetësuese por pa shkollë nuk do t’i lëmë fëmijët, po të shpresojmë që do të rregullohet deri vitin tjetër. “

“E kemi më mirë pasdite se na del koha për të mësuar pasdite dhe paradite.”

“Unë jam jashtë dhe frikë e kam shkollën pasdite. Vajza vetëm ikën nga plazhi për të ardh në shkollë me autobuz pasdite dhe frikë shumë e kam. Uroj që të bëhet shkolla sa më shpejt.”

Në përgjigje të shqetësimit të prindërve dhe nxënësve, drejtuesja e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” Ekelejda Alizoti siguron se pavarësisht vështirësive cilësia e procesit mësimor nuk do të cenohet.

“Në të njëjtën periudhë me vështirësitë që hasi jo vetëm Shqipëria, po e gjithë bota prej pandemisë, dhe që u bashkëlidhën dhe me pasojat e tërmetit, po dhe puna e mësuesve dhe e nxënësve me prindërit për të kapur boshllëqet është bërë shumë herë më e madhe për të kapur ritmin e atyre që e zhvillojnë mësimin në kushte normale. Arritjet që kishin nxënësit tanë dhe në maturën shtetërore rezultatet kanë qenë shumë të larta. Pra, ia kemi dalë me sukses.”

Nga 37 objekte arsimore që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit, sipas bashkisë Durrës, 21 prej tyre janë ende në faza të ndryshme të rindërtimit me finacim të BE-së nga programi EU4Schools.

Këtë shtator është konstatuar edhe një rënie e numrit total të nxënësve të regjistruar në shkollat.

“Jo vetëm lindshmëritë që nuk janë si më parë dhe reflektohet vit pas viti, ka dhe një numër të konsiderueshëm nxënësish që vazhdojnë t’i drejtohen emigrimit. Po nuk mund të flas për regjistrimin në shkolla publike ose jo publike, pasi pavarësisht kushteve të vështira ne do të hapim 7 klasa të 10-ta dhe kjo flet qartë për ata që dinë ta vlerësojnë një shkollë publike.”

Këtë vit shkollor për herë të parë në bankat e shkollës do të ulen 1515 nxënës, ndërsa në total janë afro 29 mijë nxënës që do të frekuentojnë arsimin bazë dhe të mesëm në bashkinë e Durrësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA