Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, ka bërë debutimin e tij në TikTok, në një përpjekje për t’u bërë thirrje të rinjve të votojnë në prag të zgjedhjeve kombëtare të këtij muaji.

“Përshëndetje , ja ku jam”, tha 85-vjeçari, duke nisur videon e tij të shkurtër në faqen e mediave sociale në pronësi kineze, e cila përdoret më shpesh nga adoleshentët .

Berlusconi, i cili udhëhoqi qeverinë italiane tre herë, po planifikon një rikthim politik në zgjedhjet e 25 shtatorit, pasi dorëheqja në korrik e kryeministrit, Mario Draghi, e zhyti vendin përsëri në një krizë politike.

Paraqitja e Berlusconit në TikTok është strategjike pasi Italia ka ulur moshën që votuesit duhet të arrijnë përpara se të kualifikohen për të zgjedhur senatorë nga 25 në 18 vjeç, duke i hapur rrugën 4 milionë të rinjve në moshë madhore për të fituar të drejtën e votës për dhomën e sipërme legjislative.

“Janë 5 milionë nga ju në këtë platformë dhe 60% prej jush janë nën 30 vjeç dhe ndihem pak ziliqar (që nuk jam i ri) për këtë”, tha  ai.

I ulur si zakonisht pas tavolinës së tij, udhëheqësi i Forza Italia tha se do të përdorte platformën për t’u treguar të rinjve se si mund ta transformonte Italinë në “një vend që ju jep mundësi të reja dhe mundësi për të realizuar ëndrrat.

Në një video të dytë të TikTok, Berlusconi tregoi një shaka për Vladimir Putin, Joe Biden dhe Papën.

Pas videos, ish-kryeministri arriti në më shumë se 350 mijë ndjekës në më pak se një ditë.

Top Channel