Video/ Pamje të frikshme nga Amsterdami, kisha historike përfshihet nga flakët gjatë natës së ndërrimit të viteve
Mikhail Gorbaçovi mund të ishte mbajtur mend për çeljen pa dashje të rrugës drejt pavarësisë së Ukrainës, por mbështetja e tij për aneksimin e Krimesë dhe heshtja për sulmin e Rusisë kanë njollosur reputacionin e tij në Ukrainë.
Nën drejtimin e Mikhail Gorbaçovit, udhëheqësit të fundit të Bashkimit Sovjetik, filloi procesi i shpërbërjes që mundësoi krijimin e 15 vendeve të reja të pavarura, ndër to edhe Ukraina.
Por, nuk është e rastësishme që qeveria e Ukrainës nuk është shprehur ende, një ditë pas vdekjes së Gorbaçovit, nëna dhe gruaja e të cilit ishin me origjinë ukrainase.
Ukrainasit në rrugët e Kievit të mërkurën nuk i fshehin ndjenjat e tyre për udhëheqësin e fuqisë “pushtuese” dhe “imperialiste” sovjetike.
“Jam shumë i kënaqur që vdiq. Sa më shumë armiq dhe mbështetës të tyre që të vdesin, aq më i lumtur do të jem”, tha 32-vjeçari Oleksandr Stepanov.
Katerina Boyuk, studente 17-vjeçare, është e bindur se Gorbaçovit “nuk i interesonte” Ukraina dhe se pavarësia e vendit “nuk ka fare të bëjë” me të.
“Ai ishte thjesht sundues i BRSS-së, dhe nuk arriti të mbajë fronin e tij”, tha ajo.
“Mendoj se ai është po aq agresor sa udhëheqësit e tanishëm të Kremlinit”, tha Vytalya Formantchuk, 43 vjeç, duke shtuar se Gorbaçovi “bëri shumë përpjekje për të shkatërruar ukrainasit, kulturën dhe gjuhën e tyre”.
Armiqësia e hapur e ukrainasve ndaj Gorbaçovit vjen edhe për shkak të heshtjes së tij për sa i përket sulmit të Rusisë në Ukrainë.
Gorbaçovi, përgjithësisht popullor në Perëndim, nuk komentoi ndonjëherë publikisht për atë që u shndërrua në konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Një anëtar i rrethit të tij të brendshëm, gazetari rus Alexei Venediktov, tha në korrik se Gorbaçovi ishte “i zhgënjyer, sigurisht”.
Për më keq, Gorbaçovi ka shprehur mbështetjen për aneksimin e Krimesë nga Moska në vitin 2014.
Ai mbajti qëndrimin se “njerëzit” ishin shprehur në referendumin për bashkimin e këtij gadishulli me Rusinë, që perceptohet gjerësisht si një sajesë.
Kievi nuk e fali ndonjëherë për këtë gjë.
Gorbaçovi perceptohet në Ukrainë “me shumë skepticizëm – ne nuk kemi entuziazmin që vërehet në nekrologjitë në mbarë botën për të”, tha Volodymyr Yermolenko, kryeredaktor i faqes në internet ukraineworld.com.
“Fati i tij është i njëjti fat si i shumë reformatorëve rusë që duan reforma, por vetëm deri në një pikë të caktuar: kur njerëzit fillojnë të vënë në dyshim imperializmin rus dhe dekolonizimin”, tha ai.
Gorbaçovi ishte udhëheqësi sovjetik në vitin 1986, kur shpërtheu reaktori numër 4 bërthamor i Çernobilit, duke shkaktuar aksidentin më të rëndë bërthamor në botë dhe duke përhapur kontaminimin radioaktiv në të gjithë Evropën.
Moska fillimisht u përpoq të minimizonte shkallën e katastrofës dhe vonoi evakuimin e vendasve.
Gorbaçovi fajësohet gjerësisht për këtë dhe për vendimin për të mbajtur paradën e 1 majit në Kiev pesë ditë më vonë.
Mijëra njerëz, përfshirë shumë fëmijë, marshuan nëpër qytet duke mbajtur lule dhe duke kënduar këngë, të pavetëdijshëm për renë radioaktive që i rrethonte.
Gorbaçovi “ishte një imperialist i zakonshëm rus. Ai thjesht bëri gjithçka që mundi për të shpëtuar BRSS-në dhe për të rivendosur Perandorinë Ruse, e cila tani po bën luftë kundër nesh”, postoi blogeri dhe aktivisti i njohur Yuri Kasyanov në Facebook.
I papëlqyer nga rusët dhe i refuzuar nga ukrainasit, Gorbaçovi vazhdonte të fliste rregullisht për rrënjët e tij ukrainase.
“Unë jam, në fund të fundit, gjysmë ukrainas. Nëna ime ishte ukrainase dhe gjithashtu gruaja ime, Raisa,. Fjalët e mia të para i thashë në gjuhën ukrainase dhe këngët e para që dëgjova ishin ukrainase”, tha ai në një intervistë të vitit 2015 me revistën gjermane “Der Spiegel”./VOA
Top Channel