Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave është pasuruar me mbi 1 milionë njësi dokumentare, të përftuara në formën e një dhurimi të radhës prej institucionit homolog, Arkivit të Perandorisë Osmane me qendër në Stamboll.
Dokumentet e marra nën zotërim në trajtë digjitale mbulojnë veprimtarinë politike dhe shoqërore të shqiptarëve përgjatë sundimit osman pesëshekullor.
Ardit Bido, drejtor DPA: Mes tyre gjenden vendime dhe dekorime të personaliteteve të ndryshme, siç është kërkesa për ngritjen në grada të Mahmut Pashës; informacione mbi përplasjet politike midis prijësve në hapësirën shqiptare, sikurse konflikti mes Ali Pashës dhe Ibrahim Pashës; evidenca mbi mësimin e shqipes në Vlorë dhe në Shkup; informacione mbi dinastitë e qyteteve shqiptare; të dhëna mbi lëvizjet nacionale shqiptare, greke, serbe etj dhe dokumente të karakterit religjoz.
Ky dhurim vjen në vazhdën e marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve, për shkëmbimin e dokumenteve arkivore.
Ardit Bido: Më herët, në vitet 2015 dhe 2020, Arkivi i Stambollit ka dhuruar përkatësisht rreth 5 mijë dhe 350 mijë fletë dokumente. Mes tyre gjendeshin urdhëresa, fermanë, të dhëna biografike të Ismail Qemalit, si edhe dokumentacion mbi Ali Pashën, një pjesë e të cilit i është dhuruar organit të kujtesës lokale, Muzeut të Tepelenës.
Kjo bazë e gjerë kërkimore do të shërbejë si shtysë për kryerjen e hulumtimeve të mëtejshme, që hedhin dritë mbi veprimtarinë tërësore të Shqipërisë dhe të shqiptarëve gjatë periudhës osmane deri në shpalljen e Pavarësisë.
Top Channel