Rusia ndalon gazin drejt Europës: Probleme mirëmbajtjeje, Gjermania: Po gënjejnë!

31/08/2022 12:33

Rusia ndaloi krejtësisht furnizimet me gaz drejt Europës në tubacionin Rrjedha Veriore 1, që dërgon për në Gjermani përmes Detit Baltik.

Të dhënat në pikat hyrëse që lidhin këtë tubacion me rrjetin gjerman të gazit tregojnë se dërgesat atje kanë rënë në zero. Arsyet, sipas Gazpromit, janë teknike.

Gjiganti rus i energjisë pretendon se ndërprerja e furnizimeve është bërë për arsye mirëmbajtjeje, e ngërçi pritet të zgjasë deri në orët e para të 2 shtatorit.

Është e nevojshme thanë drejtues të kompanisë, një punë treditore në kompresorin e gazsjellësit. Pretendimet të tilla nuk e bindin shefin e Agjencisë federale të Rrjetit në Gjermani, Klaus Mueller, sipas të cilit kjo lëvizje është “teknikisht e pakuptueshme”.

“Kjo ndalesë e gazit ka të ngjarë të jetë thjesht një pretekst nga Moska për të përdorur furnizimet me energji si kërcënim. Përvoja na tregon se Rusia merr një vendim politik sa herë flitet për të ashtuquajturën mirëmbajtje, dhe vetëm në fillim të shtatorit do ta dimë nëse po e bën këtë përsëri”, tha Klaus Mueller, shef i Agjencisë Federale të Rrjetit në Gjermani.

Ndërprerja e dërgesave të gazit ka rritur frikën se Rusia po ndalon furnizimet për t’iu bërë presion shteteve perëndimore dhe për të prishur unitetin e tyre ndaj sanksioneve të vendosura ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës, edhe pse Moska vetë e hedh poshtë një akuzë të tillë.

Në korrik gjithashtu ajo ndaloi përkohësisht furnizimin me gaz natyror në Gjermani duke cituar po kështu punimet e përvitshme në mirëmbajtje.

Ndërprerjet dhe zvogëlimi i dërgesave të gazit nga Rusia kanë rritur çmimet e gazit dhe kanë detyruar qeveritë evropiane që të përpiqen të sigurojnë furnizime alternative para stinës së dimrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA