Një gjykatë turke ka vendosur në arrest shtëpie këngëtaren turke, Gülşen Bayraktar Çolakoğlu.
Javën e kaluar ylli i pop-it, e njohur gjerësisht si Gülşen, u burgos në pritje të gjyqit me akuzat për “nxitje ose fyerje të publikut për urrejtje dhe armiqësi” pasi ajo bëri një shaka me shkollat fetare në Turqi.
Të hënën, gjykata penale e Stambollit e liroi Gülşen me kushtin “të mos largohej nga vendbanimi” pasi avokatët e saj apeluan arrestimin e saj. Megjithatë, akuzat ndaj këngëtares nuk janë hequr dhe prokurori do të shkruajë një aktakuzë duke kërkuar nga gjyqtari që të nisë seancat.
Akuzat duket se lidhen me një video që qarkulloi në mediat sociale nga një koncert i Gülşen në muajin prill, kur ajo bënte shaka për një nga muzikantët.
“Ai u diplomua në Imam Hatip (shkolla fetare). Nga atje vjen ana e tij perverse”.
Gulsen e mohoi akuzën, duke thënë se ishte një shaka dhe u kërkoi falje atyre që ofenduan nga fjalët e saj. Top Albania Radio shkruan se pas ndalimit të saj, Gulsen ndau një mesazh në llogaritë e saj zyrtare në Twitter dhe Instagram, duke i kërkuar falje “kujtdo që u ofendua” nga shakaja dhe duke thënë se ajo ishte shtrembëruar nga “njerëz keqdashës që synojnë të polarizojnë vendin”.
“Bëra një shaka me kolegët e mi, me të cilët kam punuar për shumë vite në biznes. Është publikuar nga njerëz që synojnë të polarizojnë shoqërinë”.
Gulsen ka qenë më parë në shënjestër të grupeve konservatore turke për veshjet e saj të dukshme në skenë dhe mbështetjen për komunitetin LGBTQ. Vendi me shumicë myslimane është zyrtarisht laik, por shumë i polarizuar për çështjet që lidhen me fenë, të drejtat e grave dhe të drejtat LGBTQ.
Shkollat e Imam Hatipit, të cilat mësojnë studime fetare së bashku me kurrikulën turke, janë rritur në dy dekadat që Partia Konservatore për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) ka qenë në pushtet. Shkollat njihen për trajnimin e të rinjve për t’u bërë imamë ose predikues. Edhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndoqi shkollën, si dhe shumë anëtarë të AKP-së.
Top Channel