62% e faturave të thesarit nuk u dërguan në kohë gjatë vitit 2021

31/08/2022 10:49

Nga viti në vit thellohet mungesa e korrektësisë së enteve publike për të dërguar në kohë faturat e pagesave në thesarin e shtetit.

Drejtoria e Kontrollit të Brendshëm Financiare në Ministrinë e Financave vuri në dukje se një nga treguesit kryesore të përdorimit të fondeve publike “Të gjitha faturat janë dërguar në kohë për pagesë pranë degës përkatëse të thesarit”, po përkeqësohet vit pas viti.

Për vitin 2021 ky tregues, i cili përcakton numrin e faturave të dërguara në thesar për pagesë përtej afatit kohor prej 30 ditësh kundrejt numrit total të faturave të dërguara për pagesë është vlerësuar mesatarisht me 1.53 pikë nga 4 pikë të mundshme (ose 38%), duke pësuar një ulje krahasuar me vitin 2020, ku ky tregues është vlerësuar me 2 pikë, raportoi në Kuvend Drejtoria e Kontrollit Financiar.

Audituesit e vlerësuan si mjaft problematike këtë situatë, e cila në vend që të përmirësohet po përkeqësohet nga viti në vit. Më tej në raportin përkatës shpjegohet se, arsyet e mos-dërgimit në kohë të faturave në thesar vijnë për shkak se furnitorët nuk paraqesin faturat në kohë në institucion, dokumentacioni mbështetës i dërguar nuk është i plotë ose i saktë si dhe ndodh që shpesh të ketë vonesa në lidhje me dërgimin e të dhënave bankare të furnitorit.

Institucionet që shfaqin më shumë problematika në këtë drejtim janë: Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe infrastrukturës së Mbetjeve, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Garda e Republikës, institucione të cilët janë vlerësuar me pikë minimale.

Një tregues tjetër i analizuar nga struktura përgjegjëse për thesarin është “Të gjitha kontratat janë dërguar në kohë pranë degës përkatëse të thesarit”, i cili përcakton numrin e kontratave të dërguara pranë degëve përkatëse të thesarit pas tre ditëve nga data e nënshkrimit të tyre, kundrejt numrit total të kontratave të dërguara në thesar rezulton shumë i dobët.

Për vitin 2021, ky tregues është vlerësuar mesatarisht në nivelin 0.15 pikë nga 4 pikë të mundshme (ose 3.8%), duke reflektuar një situatë shumë problematike në njësitë e marra në analizë.

Auditorët e Ministrisë së Financave sqarojnë se, Mangësitë e evidentuara vijnë kryesisht si pasojë e mungesës së disponibilitetit të personave, të cilët nënshkruajnë kontratën, duke shkaktuar vonesa në dërgimin e tyre. Janë vlerësuar me 0 pikë pjesa më e madhe e institucioneve të analizuara, përveç Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronave, të vlerësuara minimalisht me 1 pikë

Top Channel