Kapja e bosit të kriptomonedhës turke “Thodex”, Faruk Fatih Özer/ Jehonë në mediat turke: Nis procesi i ekstradimit!

30/08/2022 13:51

Arrestimi i Fatih Ozer, bosit të kriptomonedhës turke “Thodex” , pati jehone te menjëhershme në mediat e Turqisë, ku i riu rezulton i shumëkërkuar prej drejtësisë për akuza që bartin një dënim të gjatë me burg.

Shtypi turk thotë se identiteti i Özer u konfirmua nga rezultatet biometrike dhe se tashme kanë nisur procedurat e ekstradimit.

Autoritetet turke humbën gjurmët e themeluesit të Thodex kur ai u arratis në Shqipëri në 20 prill 2021 e mori me vete miliona dollarë që i përkisnin 400 mijë personave. Konsiderohet se mashtrimi i tij me monedhat virtuale kapte ne total vlerën e 2 miliardë dollarëve. Katër ekipe teknike u krijuan në Turqi në përpjekje për të siguruar bashkëpunim për kapjen e 28-vjeçarit.

Në kuadër të këtyre përpjekjeve, në Shqipëri u organizuan disa bastisje me qëllim gjetjen e biznemesnit, në emrin e të cilit kishte një “buletin të kuq” nga Interpoli. Ndaj të riut rëndon akuza për “mashtrim dhe pastrim të vlerave pasurore që rrjedhin nga krimi”, e për këtë arsye, është kërkuar dënim maksimal për të dhe bashkëpunëtorët e tij.

Hetimi në Turqi u shtri edhe mbi vëllanë e tij Güven dhe motrën Serap Özer. Kjo e fundit, që u burgos, ka pohuar se Faruk i kishte kërkuar në 18 prill 2021 raportin e hakimit të kompanisë, dokumente në lidhje me paditë e kompanisë, si dhe dokumente që lidhen me bilancin e gjykimit dhe buxhetin. Dy ditë më vonë, ai u largua me këto dokumente e miliona dollarë kriptomonedha, të cilat i siguroi duke mashtruar mijëra njerëz.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel