Të paktën 12 persona janë qëlluar për vdekje në Zonën e Gjelbër të Bagdadit, pasi qindra mbështetës të klerikut me ndikim shiit, Muqtada al-Sadr, sulmuan ndërtesat qeveritare në mes të tensioneve në rritje me grupet rivale shiite të mbështetura nga Irani.
Ndërsa të paktën 270 të tjerë u plagosën më 29 gusht, pasi u qëlluan me armë zjarri dhe gaz lotsjellës, në zonën e Gjelbër, ku gjinden ndërtesat qeveritare dhe diplomatike irakiane.
Mobilizimi masiv dhe kontrolli janë pjesë e strategjisë tashmë të njohur të klerikut, figurë e fuqishme në skenën politike në Irak. Ai njihet si nacionalist dhe me agjendë anti-Iranit.
Shtetet e Bashkuara i quajtën trazirat në Bagdad si “shqetësuese” dhe u bënë thirrje irakianëve që të përmbahen nga dhuna dhe të kërkojnë dialog për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike.
Misioni i Asistencës së Kombeve të Bashkuara në Irak (UNAMI) i quajti zhvillimet “një përshkallëzim jashtëzakonisht të rrezikshëm” dhe gjithashtu u kërkoi të gjitha palëve “të përmbahen nga aktet që mund të çojnë në një zinxhir të pandalshëm ngjarjesh”.
“Vetë mbijetesa e shtetit është në rrezik”, thuhet në deklaratën e UNAMI-it. Dëshmitarët thanë se besnikët e klerikut shiit dhe mbështetësit e një blloku rival shiit, Korniza e Koordinimit pro-Iranit, kishin shkëmbyer zjarr në Zonën e Gjelbër.
Top Channel