Kampionati francez nuk ka më një lider absolut që ka grumbulluar pikë të plotë në javët e parë.
Edhe PSG, që i kishte fituar të tria sfidat e para të Ligue 1 detyrohet të ndalet dhe të ndajë kryesimin me Marseille dhe Lens, me nga 10 pikë. Në javën e katërt ekipi i drejtuar nga Galtier barazoi 1-1 në “Parc des Princes” përballë Monacos, që kryesoi deri në minutën e 70-të falë golit të realizuar nga Volland që në të 20-tën.
U desh një penallti e fituar nga Neymar falë ndërhyrjes së sistemit VAR dhe e shndërruar në gol nga vetë braziliani (Mbappe nuk tentoi të ishte ai goditësi i 11-metërshit), që parizienët të shmangnin humbjen para tifozëve të tyre. Gjithsesi, duhet pranuar që “yjet” e Parisit, Messi, Neymar dhe Hakimi ishin të pafat teksa goditjet e tyre përfunduan në shtyllë.
Një mbrëmje jo fort e mirë për Lionel Messin, që la fushën në minutën e 87-të për t’i bërë vend Sarabias. PSG, gjithsesi, mbetet në krye falë golaverazhit ndjeshëm më pozitiv se Marseille dhe Lens.
Top Channel