Periudha që kaloi te Manchester United nuk ishte aspak e këndshme për Angel Di Maria e aq më pak për gruan e tij Jorgelina Cardoso.
Në programin “LAM” të televizionit argjentinas, “El Trece” ajo rrëfeu të gjithë “makthin” që kaloi në Angli.
“Kemi shkuar në disa raste në Manchester për të takuar Agueron dhe gruan e tij përpara se Di Maria të transferohej te ‘Djajtë e Kuq’ dhe ishte realisht një eksperiencë e shëmtuar. I para thënë burrit tim që të sigurohej të transferohej kudo tjetër në botë vetëm në Angli jo.”-tha Cardoso.
Megjithatë, argjentinasi u transferua nga Real Madrid në Old Trafford për 75 milionë euro në gusht 2014, në atë kohë ishte një nga transferimet më të shtrenjta të të gjitha kohërave. Ndërsa pas 11 muajsh, pas një sezoni shumë zhgënjyes, ai u bashkua me Paris Saint-Germain.
Kur mori vesh për këtë ofertë gruaja e sulmuesit zbulon se i tha: “Nuk dua të vij, shko vetëm”.
Në fund të fundit, faktori vendimtar për ndryshimin e vendimit të Cardosos ishte paga dukshëm më e lartë që Manchester United i kishte ofruar argjentinasit.
“Ishin shumë para, më shumë se sa kishin ofruar spanjollët. Kështu ne shkuam. Nëse punon në një kompani dhe dikush të ofron dyfishin e rrogës, ti pranon. Megjithatë nuk më pëlqeu fare… këtë mund t’ju them. Njerëzit janë të gjithë të çuditshëm. Ecën në rrugë duke mos ditur nëse do t’ju vrasin. Ushqimi është i neveritshëm. Gratë duken si porcelan. I thashë burrit tim: ‘I dashur, dua të vras veten’.”-tha ndër të tjera në intervistë gruaja e Di Marias.
Top Channel