Një mision i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore të OKB-së pritet të vizitojë centralin bërthamor të Zaporizhzhias javën e ardhshme, pasi ai u shkëput përkohësisht nga rrjeti elektrik i Ukrainës dhe goditje të tjera u njoftuan në zonën ku është vendosur objekti, thanë zyrtarët ukrainas të premten.
Dëmtimi i një linje në centralin më të madh bërthamor të Evropës shkaktoi një ndërprerje të energjisë në të gjithë rajonin të enjten dhe rriti frikën për një katastrofë të mundshme në një vend që nuk e ka harruar katastrofën e Çernobilit të vitit 1986. Një ekspert i materialeve bërthamore thotë se është “shumë e rëndësishme” që Kombeve të Bashkuara t’u jepet qasje në centralin e marrë nën kontrollin e forcave ruse që në ditët e para të luftës së saj me Ukrainën. Komisionerja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut kërkoi gjithashtu që centrali bërthamor i Zaporizhzhias të çmilitarizohej.
Centrali bërthamor i Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, u pushtua nga forcat ruse që në ditët e para të luftës.
Luftimet e vazhdueshme pranë objektit kanë rritur shqetësimet për një katastrofë që mund të prekë qytetet në Ukrainën jugore – ose potencialisht një rajon edhe më të gjerë.
“Mendoj se është e rëndësishme, është shumë e rëndësishme që njerëzve t’u lejohet qasja,” thotë Mark Wenman, një ekspert i materialeve bërthamore në universitetin “Imperial College” në Londër.
“Ata duan të shohin çfarë lloj sistemesh ka, cilat janë sistemet e monitorimit të rrezatimit, dhe nëse janë të vendosura ato që i quajmë masat mbrojtëse. Kjo do të thotë aftësitë për të monitoruar materialin radioaktiv, në mënyrë që ai të mos nxirret nga vendi. Dhe pa qasje të plotë në çdo gjë në horizont, ata nuk mund të gjykojnë nëse një aksident është pak a shumë i mundshëm”, thotë Mark Wenman.
Qeveria në Kiev pretendon se Rusia në thelb po mban peng uzinën bërthamore të epokës sovjetike, duke e përdorur si bazë armësh për sulmet e saj, ndërsa Moska akuzon Ukrainën se ka qëlluar në mënyrë të pakontrolluar mbi objektin, i cili ndodhet në qytetin Enerhodar.
Michelle Bachelet, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut u biri thirrje palëve të respektojnë ligjin ndërkombëtar.
“I bëj thirrje Presidentit rus të ndalojë sulmet e armatosura kundër Ukrainës. Uzina e Zaporizhzhës duhet të çmilitarizohet menjëherë. Të dyja palët duhet të respektojnë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe ligjin ndërkombëtar humanitar.”
Luftimet në fillim të marsit shkaktuan një zjarr të shkurtër në kompleksin e trajnimit të uzinës që zyrtarët thanë se nuk rezultoi në çlirimin e ndonjë rrezatimi.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy thotë se veprimet ushtarake të Rusisë atje përbëjnë “shantazh bërthamor”.
“Kjo është hera e vetme që një termocentral bërthamor ka qenë në vijën e parë të një zone të madhe lufte. Pra, kjo është hera e parë që na është dashur t’i referohemi Konventës së Gjenevës ku thuhet qartë se nuk duhet të bëhet asgjë për të rrezikuar një central bërthamor”, thotë eksperti Mark Wenman.
Asnjë central bërthamor civil nuk është projektuar për një situatë lufte, megjithëse ndërtesat që strehojnë gjashtë reaktorët e Zaporizhzhias janë të mbrojtura nga betoni i përforcuar që mund të përballojë një predhë të hedhur gabimisht, thonë ekspertët.
Shqetësimi më i madh është se një ndërprerje e furnizimit me energji elektrike në termocentral siç ndodhi të enjten në mbrëmje (25 gusht), mund të çaktivizojë sistemet e ftohjes që janë thelbësore për funksionimin e sigurt të reaktorëve dhe gjeneratorët e emergjencës me naftë janë ndonjëherë jo të besueshëm.
“Ne i nxisim edhe një herë palët që t’i sigurojnë misionit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike qasje të menjëhershme, të sigurt dhe të papenguar në vend”, tha zëvendës sekretarja e përgjithhshme e OKB-së për çëshjtje politike dhe të paqes, Rosemary DiCarlo.
Shpërthimi dhe zjarri i 26 prillit 1986 në një nga katër reaktorët në centralin bërthamor të Çernobilit në veri të Kievit dërgoi një re me material radioaktiv në një zonë të madhe të Evropës dhe më gjerë.
Përveç nxitjes së ndjenjës anti-bërthamore në shumë vende, katastrofa la plagë të thella psikologjike tek ukrainasit.
Zoti Wenman nuk mendon se do të ketë një fatkeqësi si Çernobili. Ndërtesa e ruajtjes së betonit të përforcuar të uzinës është më shumë se një metër e trashë në shumicën e vendeve, thotë ai.
Gjithashtu, që nga 11 shtatori dhe incidenti në Fukushima, ka pasur prova shtesë për t’u mbrojtur nga tërmetet, përmbytjet, madje edhe avionët që përplasen në ndërtesa, shton ai.
Megjithatë frika është e dukshme sidomos përtej lumit Dnieper në Nikopol, ku banorët kanë qenë nën bombardime pothuajse të vazhdueshme ruse që nga 12 korriku.
Top Channel