Moderna padit Pfizer & BioNTech: Kanë kopjuar teknologjinë mbi vaksinën kundër Covid 19

26/08/2022 16:09

Kompania farmaceutike Moderna deklaroi këtë të premten se do padisë kompaninë Pfizer dhe partnerin e saj gjerman BioNTech për shkelje të së drejtës së autorit dhe pronësisë intelektuale gjatë zhvillimit të vaksinës së parë për Covid 19 të miratuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kompania amerikane farmaceutike dhe bio-teknologjike me qendër në Kembrixh pretendon se rivalët e saj kopjuan teknologjinë që Moderna zhvilloi vite përpara pandemisë.

Drejtoresha ekzekutive e Moderna-s, Stephane Bancel deklaroi: “Ne po i ngremë këto padi për të mbrojtur platformën inovative të teknologjisë mRNA që ne nisëm të zhvillonim, investuam miliarda dollarë në krijimin e saj dhe e patentuam atë gjatë dekadës para pandemisë së COVID-19”.

Vetëm një dekadë nga themelimi i saj, kompania Moderna është inovatore në teknologjinë e vaksinës së tipit “mRNA”, e cila funksionon duke u mësuar qelizave njerëzore se si të prodhojnë një proteinë që shkakton një përgjigje të sistemit imunitar.

Teknologjia ndihmoi në përshpejtimin e procesit të miratimit për vaksinat – që zakonisht duhen vite për t’u përfunduar – dhe mundësoi që vaksina ndaj Covid 19 të zhvillohej në një kohë të shkurtër.

BioNTech me bazë në Gjermani kishte punuar gjithashtu në këtë fushë kur ishte në partneritet me gjigantin farmaceutik amerikan Pfizer.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe e Barnave dha autorizimin e përdorimit të menjëhershëm për vaksinën Pfizer fillimisht në dhjetor 2020 – duke i dhënë më pas dritën jeshile vaksinës të prodhuar nga Moderna një javë më vonë.

Top Channel