Kreu i Kishës Ortodokse Ruse ka anuluar pjesëmarrjen e tij në një takim ndërfetar të planifikuar muajin e ardhshëm në Kazakistan, ku pritej të takohej me Papa Françeskun, në treguesin më të fundit të përkeqësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mbi luftën e Rusisë në Ukrainë.

Mitropoliti Anthony i Volokolamskut, kreu i marrëdhënieve me jashtë për Patriarkatin e Moskës, u citua nga agjencia e lajmeve “Ria Novosti” të ketë thënë se Patriarku Kirill nuk do të marrë pjesë në takimin e 13-15 shtatorit dhe se për këtë arsye çdo takim i mundshëm me Papa Françeskun nuk do të mbahej.

Patriarku rus, Kirill e ka justifikuar pushtimin e Ukrainës mbi baza shpirtërore dhe ideologjike, duke e quajtur atë një betejë “metafizike” me Perëndimin. Ai ka bekuar ushtarët rusë që shkojnë në betejë dhe ka ngritur idenë se rusët dhe ukrainasit janë një popull.

Papa Françesku kishte konfirmuar muajin e kaluar se do të takohej me Patriarkun Kirill në Kazakistan në atë që do të ishte takimi i dytë mes një pape dhe një patriarku rus. Takimi i parë u mbajt në vitin 2016-të dhe i dyti ishte planifikuar për në qershor, por u shty për shkak të pasojave diplomatike të luftës.

Papa Françesku ka dënuar luftën në Ukrainë, por është përpjekur të mbajë një derë të hapur për dialogun me Moskën, duke mos e dënuar me emër Rusinë, Presidentin Vladimir Putin apo patriarkun Kirill. Qasja e tij e ekuilibruar ka zemëruar Kievin, i cili këtë javë dënoi komentet e tij mbi faktin se të pafajshmit nga të dyja palët po paguanin çmimin e luftës.

Papa Françesku i bëri këto komente të mërkurën teksa lufta në Ukrainë hyri në muajin e saj të shtatë dhe iu referua vrasjes në fundjavë në Moskë të Darya Dugina, një komentatore televizive nacionaliste ruse dhe vajza e teoricienit politik rus të krahut të djathtë, Alexander Dugin, i cili e mbështet fuqimisht luftën.

Françesku përmendi “vajzën e shkretë” të vrarë nga një bombë në Moskë, si dhe jetimët në Ukrainë dhe Rusi, ndër “të pafajshmit” që janë viktimizuar nga “çmenduria e luftës”.

Ambasadori i Ukrainës në Selinë e Shenjtë, Andrii Yurash, tha se fjalët e Françeskut ishin “zhgënjyese” duke barazuar “agresorin dhe viktimën, përdhunuesit dhe të përdhunuarit”. Në një postim në Twitter të mërkurën, ai pyeti se si ishte e mundur që Françesku të citonte një “ideolog të imperializmit si viktimë të pafajshme?”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA