Papa Françesku ka bërë thirrje për “hapa konkretë” për dhënie fund të luftës në Ukrainë, në mënyrë që të parandalohet rreziku i një kastastrofe bërthamore në centralin bërthamor në Zaporizhja.
Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për sulme në këtë central.
Moska e ka marrë kontrollin e centralit pak pas nisjes së luftës. Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje vazhdimisht për çmilitarizim të zonës bërthamore.
“Shpresoj se do të merren hapa konkretë për t’i dhënë fund luftës, dhe për të shmangur rrezikun e një katastrofe bërthamore në Zaporizhja”, ka thënë Papa para audiencës që mbledh çdo javë.
Ai e ka bërë këtë fjalim në ditën kur Ukraina shënon 31-vjetorin e pavarësimit nga ish-Bashkimi Sovjetik.
Në 31-vjetorin e pavarësisë, Zelensky zotohet se Ukraina do ta luftojë Rusinë “deri në fund”.
Papa Françesku e ka konsideruar luftën si “çmenduri”.
“Të pafajshmit e paguajnë luftën, të pafajshmit”, ka thënë ai.
Papa Françesku ka thënë se tregtarët e armëve që përfitojnë nga lufta janë “delikuentë që vrasin njerëzimin”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën./REL
Top Channel