“Korrupsioni është kërcënimi më serioz për sigurinë kombëtare të e vendit tonë”.

Ky është një prej përfundimeve kryesore nga anketimi Kombëtar i Barometrit të Sigurisë në Shqipëri, siguruar nga Top Channel, ku janë pyetur 1110 persona nga “Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”.

“Në pesë vitet e fundit korrupsioni është rritur ose është rritur ndjeshëm. Gjysma e të anketuarve mendojnë se në vitet që do të vijnë korrupsioni do të jetë i njëjtë. Dobësia institucionale shihet si shkaku kryesor i korrupsionit nga rreth një e treta e qytetarëve, pasuar nga pushteti i oligarkëve dhe dobësia e përgjithshme e demokracisë në Shqipëri. Shumica e qytetarëve mendojnë gjithashtu se partitë politike marri financime nga bizneset në këmbim të favoreve. Ka një dakordësi mbizotëruese që korrupsioni është rrënjosur aq thellë sa ta denoncosh atë nuk do të sjellë asnjë ndryshim”.

Të anketuarit janë pyetur se kujt i besojnë më shumë në luftën ndaj korrupsionit.

“Për sa i përket seriozitetit dhe përkushtimit të institucioneve për të luftuar korrupsionin, shumica e qytetarëve mendojnë se qeveria nuk është serioze në angazhimin e saj. Më shumë qytetarë mendojnë se SPAK dhe Gjykatat Kundër Korrupsionit janë serioze në angazhimin e tyre për të luftuar korrupsionin, por krahasuar me të dyja, ka më shumë qytetarë që mendojnë se SPAK është serioz në punën e tij. Shumica e qytetarëve janë dakord se digjitalizimi i shërbimeve ka kontribuar në uljen e korrupsionit, por megjithatë, rreth një e treta e tyre nuk mendojnë se ky proces ka dhënë efektet e pritshme”.

Barometri i Sigurisë në Shqipëri përcjell edhe këtë gjetje:

“Shumica e qytetarëve mendojnë se pajtimi dhe ndërtimi i paqes në Ballkan pengohet nga politikanët që përfitojnë nga mbajtja gjallë e konfliktit, pasuar nga ata që mendojnë se ndërhyrja nga fuqitë e mëdha e pengon një pajtim të tillë. Shqipëria nuk ka statusin që meriton në skenën botërore. Për të përmirësuar statusin e saj në skenën botërore shumica mendojnë se Shqipëria duhet të fokusohet në zhvillimin ekonomik dhe social, ndërsa më pak mendojnë se një status i tillë mund të arrihet duke investuar më shumë në sektorin e sigurisë”.

Krimi i organizuar shihet nga shumica si sfida e sigurisë për të cilën Shqipëria duhet të bashkëpunojë më ngushtë me vendet e rajonit të Ballkanit.

“Marrëdhëniet e sigurisë mes vendeve të Ballkanit do të përmirësohen gjatë 5 viteve të ardhshme. Një shumicë e konsiderueshme mendon se bashkëpunimi më i madh ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë do të çojë në një stabilitet më të madh në Ballkan”.

Shumica e qytetarëve të përfshirë në anketim, mendojnë se një luftë mes Rusisë dhe Perëndimit është e mundur. Rusia sipas tyre përbën një kërcënim shumë të madh ose një kërcënim të madh për sigurinë e Shqipërisë.

Përveç Serbisë, qytetarët shqiptarë mendojnë se vendet e tjera të Ballkanit nuk paraqesin kërcënim për sigurinë e Shqipërisë. Të anketuarit mendojnë se Turqia i ofron Shqipërisë marrëdhëniet më të mira, e ndjekur nga SHBA-ja dhe Gjermania.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA