60-vjeçari që ka në pronësi banesën ku u vu tritol këtë mëngjes në rrugën “Siri Kodra” në kryeqytet, thotë për Top Channel se është hera e tretë që prona e tij sulmohet në këtë mënyrë.
Në portën e banesës dy katëshe në pronësi të Remzi Ponarit shpërtheu një lëndë plasëse dhe për pasojë u dëmtuan xhamat e biznesit në katin e parë.
I pyetur nga gazetarja Anila Hoxha, Ponari hedh poshtë dyshimet se ngjarja ka ndodhur për shkak të konflikteve me qiramarrësin. Sipas tij, qëllimi i autorëve mund të jetë prishja e biznesit, ndërsa thotë se ngjarjen do ta ndjekë nga afër kur të kthehet në vend.
“Znj. Anila , unë pronën e kam timen e kam me dokumente të plota. Katin përdhe e kam dhënë me qira një biznesi përpunim xhami. Marrëdhëniet me qiramarrësin i kam më se normale. Është siç mora vesh, hera e tretë që hedhin lëndë plasëse. Mendoj se kanë qëllim prishjen e biznesit sepse nuk gjej shkaqe të tjera. Mendoj se organet e hetimit policor kanë pasur mundësi ta zgjidhnin këtë nyjë, megjithatë unë ditën e shtunë kthehem dhe besoj se do të kemi të reja”, përgjigjet Ponari kërkesës së gazetares Hoxha.
Vetë 60-vjeçari ka qenë avokat i caktuar nga shteti në disa çështje të forta në Shqipëri.
Në vendngjarje policia ka mbledhur një seri pamjesh nga kamerat e sigurisë dhe po punohet për identifikimin e autorit i cili është një i ri rreth 25 vjeç.
Top Channel