Dy të tretat e Europës janë nën alarm nga thatësira e përshkruar prej ekspertëve si më e rënda ne 500 vjet.

Raporti i fundit nga Observatori Global i Thatësirës thotë se 47% e kontinentit është në kushte “paralajmëruese”, çka nënkupton se toka është tharë. 17 % sakaq rezulton në gjendje rreziku, që do të thotë se kanë nisur problemet me bimësinë.

Raporti paralajmëron se kjo periudhë e thatë do të ndikojë ndjeshëm tek të korrat, do të ndezë zjarre dhe mund të zgjasë disa muaj më shumë në disa nga rajonet jugore të kontinentit të vjetër.

Krahasuar me mesataren e pesë viteve të mëparshme, parashikimet e BE-së për të korrat janë ulur me 16% për misrin e grurin, 15% për sojën dhe 12% për lulediellin. Observatori i thatësirës është pjesë e krahut kërkimore të Komisionit Evropian. Për këtë arsye, KE-ja vetë  paralajmëroi se të dhënat paraprake sugjerojnë “thatësira aktuale duket të jetë më e keqja në 5 shekuj”.

Mariya Gabriel, Komisionere Europiane e Kërkimit: Valët e vazhdueshme të të nxehtit dhe mungesa e ujit kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm në burimet ujore në mbarë Bashkimin Europian. Aktualisht po vërejmë një sezon zjarresh ndjeshëm mbi mesataren dhe me një ndikim të madh mbi prodhimin e të korrave. Ndryshimet klimatike padyshim janë më të dukshme çdo vit që kalon.

Raporti paralajmëroi se pothuajse të gjithë lumenjtë e Evropës ose janë tharë ose po shkojnë drejt tharjes. Ai del në përfundimin se kushte të tilla do të zgjasin deri në nëntor të këtij viti përgjatë Mesdheut, ndërsa situata po përkeqësohet në Italia, Spanja, Portugalia, Franca, Gjermania, Holanda, Belgjika, Luksemburgu, Rumania, Hungaria, Serbia veriore, Ukraina, Moldavia, Irlanda dhe Britania e Madhe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA