Në prag të sfidës së 25 gushtit në stadiumin “Air Albania”, boksieri i njohur shqiptar, Florian Marku u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ai ftoi të gjithë qytetarët shqiptarë që të bëhen pjesë e kësaj feste, për të bërë tifo për boksierin kampion shqiptar.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që miku ynë, vëllai ynë, Flor Marku është në Tiranë për një super ndeshje, për të ruajtur titullin botëror. Ne jemi tifozë me Florin, ndaj mezi pres jo vetëm nga Tirana, por nga e gjithë Shqipëria edhe shqiptaria, kush ka mundësi të vijë, biletat i gjejnë në stadium. Dyert do të hapen të enjten në orën 17:00 për t’u siguruar që çdokush zë vendin e tij, për të ndjekur një ndeshje fantastike të Flor Markut”, tha ai.
Kreu i Bashkisë u shpreh se, mbi të gjitha, Florian Marku është një shembull për të rinjtë se vetëm puna e ndershme të çon në majë. “Nuk është zgjidhje as shtëpia e barit, nuk është zgjidhje as ikja me gomone, nuk është zgjidhje as jeta e pandershme për një fitim të shpejtë. E vetmja zgjidhje që ka funksionuar sa jeton njerëzimi, por edhe siç e mësuam nga Luiza Gega, siç e kemi mësuar nga Flori, nga Dua Lipa e Rita Ora, është se vetëm puna, djersa, përpjekja dhe sakrifica e jashtëzakonshme të çon në majë. Sot Flori është në majë se mbi të gjitha është një djalë i mirë, është një sportist i mirë, është një familjar i mire”, nënvizoi Veliaj.
Boksieri Marku, i cili garon për mbrojtjen e titullit Kampion Bote, falenderoi kryebashkiakun Erion Veliaj për përkrahjen e vazhdueshme të sportit dhe sportistëve. “Erion, faleminderit për përkrahjen, i presim të gjithë shqiptarët më datë 25 Gusht në “Air Albania”, tha ai.
Në fund të takimit, Florian Marku i dhuroi kryebashkiakut Veliaj një dorezë boksi të nënshkruar prej tij.
Top Channel