Shpresat e Aleksandër Vuçiç janë që marrëveshja me Kosovën për dokumentet dhe targat e makinave te arrihet para 1 shtatorit.
Në të kundërt, paralajmëroi presidenti i Serbisë, serbët e Kosovës mund të largohen nga të gjitha institucionet.
“Kemi mbështetjen e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për të gjetur një zgjidhje kompromisi me qeverinë në Prishtinë për çështjen e targave të automjeteve dhe dokumenteve serbe të udhëtimit. Jam i vendosur të kërkoj një zgjidhje kompromisi me Kosovën për dokumentet e identifikimit dhe targat brenda dhjetë ditëve, pasi qeveria e Kosovës në 1 shtator pritet të nisë zbatimin e masave të reciprocitetit për këto dy çështje. Serbët e Kosovës mund të largohen nga të gjitha institucionet nëse nuk gjendet zgjidhje për shqetësimet e tyre”– shprehet Vuçiç.
Vucic sqaroi se ka propozuar që serbët e Kosovës të mos përfshihen në vendimin për dokumentet personale dhe të pajisen me targa që janë neutrale ndaj statusit të Kosovës, por sipas tij, pala kosovare , “i hodhi poshtë këto propozime kompromisi”. Kjo siç tha ai, dëshmon se, “qëllimi i Prishtinës është shfuqizimi i çdo gjëje që ka të bëjë me shtetin serb dhe përndjekja e serbëve nga Kosova”. që prej 18 gushti, kur u takua në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Vucic nuk kishte folur për mediat.
Prononcimi i tij tani ishte më shumë një paralajmërim. “U informova nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje për një kohë të shkurtër, nëse nuk ndalet përndjekja e serbëve, politikanët do të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës gjatë muajit të ardhshëm, dhe më pas gjykatësit dhe oficerët e policisë do të ndjekin shembullin deri në fund të shtatorit”, u shpreh Vucic duke paralajmëruar “zhbërje të rendit të Brukselit të dakorduar me marrëveshje”.
Top Channel