Rinis seanca e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Malit të Zi, Abazoviç propozon gjashtë pikat e rindërtimit të qeverisë

19/08/2022 21:08

Pas rreth katër orësh pushim, ka rinisur seanca në të cilën pritet të votohet mocioni ndaj kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Kuvendi nisi pushimin rreth orës 16:20, ndërsa u kthye vetëm pak minuta më parë.

Nuk dihet nëse Abazoviç do t’i mbijetojë këtij mocioni, por ajo që dihet deri më tani është se vetë kryeministri ka pasur disa takime me partitë parlamentare në Mal të Zi, ku është folur për një reformim të mundshëm të qeverisë.

Ndërkohë Dritan Abazoviç, doli me një ofertë për ristrukturimin e qeverisë së ti,j ku nëntë deputetë të Lëvizjes Ura dhe Partisë Socialiste popullore të Malit të Zi kanë nënshkruar iniciativën për ristrukturimin e ekzekutivit.

Propozimi konsiston në gjashtë pika:

  1. Qeveria dhe shumica parlamentare do të forcojnë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet;
  2. Qeveria dhe shumica parlamentare do të zbatojnë reformën zgjedhore dhe do të përfundojnë sa më shpejt të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare;
  3. Qeveria do të intensifikojë reformat ekonomike me qëllim përmirësimin e standardit të jetesës së popullsisë dhe drejtimin e fokusit politik të saj kryesisht drejt temave socio-ekonomike;
  4. Qasje e përbashkët për zgjidhjen e çështjes së zgjedhjes së Këshillit Gjyqësor, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorit të Lartë të Shtetit dhe fillimin e një dialogu intensiv me opozitën parlamentare për këto çështje me qëllim të krijimit të konsensusit sa më të gjerë;
  5. Qeveria mbetet maksimalisht e përkushtuar për ruajtjen e kursit të politikës së jashtme, integrimin evropian, bashkëpunimin rajonal, si dhe përafrimin e plotë të politikës së jashtme me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, duke respektuar të gjitha detyrimet dhe marrëveshjet e marra ndërkombëtarisht;
  6. Qeveria dhe shumica parlamentare shprehin gatishmërinë për të vendosur një moratorium për të gjitha çështjet identitare që përçajnë shoqërinë ose për të cilat nuk është e mundur të arrihet një konsensus më i gjerë shoqëror në këtë moment, duke përfunduar me zgjedhjet parlamentare.

Nisma për t’i hequr votëbesimin qeverisë është kërkuar nga 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve, të disa partive në koalicionin qeveritar dhe partive të tjera, për shkak të ndalimit të Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian dhe shtimin e tensioneve ndëretnike në vend.

Nismëtarët e mosbesimit e kritikojnë qeverinë duke theksuar se në vend të ndjekjes së rrugës evropiane, qeveria po kryen eksperimente politike. “Pas qeverisë së ekspertëve dhe (qeverisë) së pakicës, Mali i Zi nuk ka më kohë për eksperimente politike. Është koha që të kemi zgjedhje për një qeveri legjitime”, tha Danijel Zhivkoviç, përfaqësuesi i Partisë Demokratike Socialiste, të presidentit Milo Gjukanoviç.

Kryeministri Abazoviç tha se kërkesa për rrëzimin e qeverisë nuk ka të bëjë me proceset europiane, por me marrëveshjen që qeveria e tij arriti me Kishën Ortodokse Serbe. “Ju e keni dorëzuar iniciativën për shkak të Marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe. Ju thatë se ishte krim dhe tradhti ndaj interesave kombëtare dhe mos u fshihni pas evropianizmit tani”, tha zoti Abazoviç.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA