Parlamenti i Malit të Zi është mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme për të miratuar ose jo një votë mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit, Dritan Abazoviç.

Mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë e kanë iniciuar 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit, Millo Gjukanoviç, dhe një pjesë e partive të shumicës qeverisëse, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviçit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Kjo marrëveshje u vlerësua si e dëmshme për interesat kombëtare të shtetit.

Ndërsa deputetët nismëtarë thonë se tashmë po vihet në  pikëpyetje vazhdimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Abazoviçit, që rezulton në rritje të tensioneve në shoqëri, Qeveria e ka humbur legjitimitetin e saj”, thuhej në iniciativën e deputetëve.

Por vetë Abazoviç kësaj nisme i është përgjigjur me deklaratën:

“Që në ditën e parë u ka shqetësuar fakti që jam pjesëtar i një kombi pakicë [shqiptar].. Unë jam kryeministër që merr vendime të vështira, që mbrojti interesat kombëtare edhe pas 30 gushtit 2020, e që ruajti kursin e politikës së jashtme.”

Për të rrëzuar Qeverinë, e cila deri më tani ka funksionuar si pakicë, janë të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.

Abazoviç ka paralajmëruar se nëse Qeveria “i mbijeton votës”, është i gatshëm që të nesërmen të rindërtojë Qeverinë, në marrëveshje me Frontin Demokratik, që aktualisht është në opozitë, si dhe me demokratët e partitë tjera që duan të përfshihen në udhëheqje.

Top Channel