Zyrtari kryesor financiar i kompanisë së Donald Trumpit, pranon fajësinë për mospagim taksash

18/08/2022 21:47

 Zyrtari kryesor financiar i kompanisë së Donald Trumpit, Allen Weisselberg, pranoi sot fajësinë për shkelje që lidhen me mospagim taksash.

Pranimi i fajësisë ishte në kuadër të një marrëveshjeje që ai arriti me prokurorët, në bazë të së cilës, ai duhet të dëshmojë për praktikat e paligjshme të biznesit në Organizatën Trump, thanë për agjencinë Associated Press dy burime në dijeni me këtë çështje.

Zoti Weisselberg është akuzuar për pranimin e më shumë se 1.7 milionë dollarëve në formë kompensimi nga kompania e ish presidentit, por që nuk është pasqyruar në deklarimet e tij për taksat për vite të tëra. Përfitimet përfshijnë pagesën për qiranë e shtëpisë, pagesat për makinave si dhe për koston e shkollës private të nipërve e mbesave.

Në bazë të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, zoti Weisselberg do të fliste sot në gjykatë për rolin e kompanisë në marrëveshjen e pretenduar të kompensimit, si dhe ndoshta ai do të dalë si dëshmitar kur Organizata Trump të dalë në gjyq në tetor për akuza penale, thanë burimet.

Dy personat, që nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për rastin, komentuan në kushte anonimiteti.

Zoti Weisselberg, 75 vjeç, ka të ngjarë të marrë një dënim prej pesë muajsh heqje lirie, në kompleksin famëkeq Rikers Island të Nju Jorkut dhe mund t’i kërkohet të paguajë rreth 2 milionë dollarë dëmshpërblim, përfshirë taksat, gjobat dhe interesat. Nëse ky dënim qëndron, zoti Weisselberg do të kualifikohej për lirim pas rreth 100 ditësh.

Zoti Weisselberg është i vetmi person që përballet me akuza penale deri më tani në hetimin e gjatë të prokururisë së qarkut të Manhatanit për praktikat e biznesit të kompanisë së ish presidentit Trump.

I parë si një nga bashkëpunëtorët më besnikë të biznesit të Trumpit, zoti Weisselberg u arrestua në korrik të vitit 2021. Avokatët e tij kanë argumentuar se zyra e prokurorit të qarkut të udhëhequr nga demokratët, po e ndëshkonte atë sepse ai nuk do të ofronte informacione, që do të dëmtonin zoti Trump.

Prokurori i qarkut gjithashtu po heton për një çështje tjetër, nëse zoti Trump, ose kompania e tij, kanë gënjyer bankat ose qeverinë, duke zmadhuar vlerën e pronave për të marrë kredi, ose për të ulur pagesën e taksave.

Prokurori i atëhershëm i qarkut Cyrus Vance Jr., i cili filloi hetimin vitin e kaluar, i udhëzoi zëvendësit e tij që të paraqesin prova para një jurie të madhe dhe të kërkojnë një aktakuzë ndaj zotit Trump, sipas ish-prokurorit Mark Pomerantz, i cili i kishte drejtuar hetimet më parë.

Por pasi prokurori Vance u largua nga detyra, pasardhësi i tij, Alvin Bragg, lejoi që juria e madhe të shpërbëhej pa ngritur akuza. Të dy prokurorët janë demokratë. Zoti Bragg ka thënë se hetimet janë duke vazhduar.

Organizata Trump nuk është e përfshirë në pranimin e fajësisë nga zoti Weisselberg. Ajo pritet të dalë në gjyq për skemën e pretenduar të kompensimit në tetor.

Prokurorët pretendojnë se kompania u dha përfitime të pataksuara drejtuesve të lartë, përfshirë zotin Weisselberg, për 15 vjet. Vetëm zoti Weisselberg u akuzua se kishte mashtruar qeverinë federale, shtetin dhe qytetin me më shumë se 900,000 dollarë taksa të papaguara dhe rimbursime të pamerituara të taksave.

Sipas ligjit të shtetit, dënimi për akuzën më të rëndë kundër zotit Weisselberg, vjedhje të një shume të madhe, mund të shkonte deri në 15 vjet burg. Por akuza nuk mbart asnjë minimum të detyrueshëm dhe shumica e shkelësve për herë të parë për çështje të lidhura me taksat nuk përfundojnë kurrë pas hekurave.

Akuzat për mashtrim tatimor kundër Organizatës Trump dënohen me një gjobë sa dyfishi i shumës së taksave të papaguara, ose 250,000 dollarë, cilado qoftë shifra më e lartë.

Ndaj vetë zotit Trump nuk janë ngritur akuza. Ai i ka dënuar hetimet e Nju Jorkut si një “gjueti politike shtrigash”, dhe ka thënë se veprimet e kompanisë së tij janë një praktikë standarde në biznesin e pasurive të paluajtshme dhe në asnjë mënyrë një krim.

Javën e kaluar, zoti Trump u thirr për të dëshmuar në kuadër të një çështjeje civile ndaj tij, që po heton Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James, nën akuzat se kompania e tij ka mashtruar huadhënësit dhe autoritetet tatimore për vlerat e pasurive. Zoti Trump përdori të drejtën që i garanton Amendamenti i Pestë i Kushtetutës, duke mos iu përgjigjur asnjë prej të 400 pyetjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA