Dy vëllezërit nga Laçi, Xhanelio dhe Xhoi Tarja janë arrestuar nga policia pasi goditën me thikë mbrëmjen e djeshme një 41-vjeçar në Sarandë pas një sherri banal.
Xhanelio 24 vjeç dhe Xhoi 18 vjeç, të dy banues në Laç, ishin të punësuar në një hotel në Sarandë, aty ku dhe u konfliktuan për një vend parkimi me viktimën, Klodian Bakia 41-vjeç.
Policia thotë se pas konfliktit për motive të dobëta, për një vend parkimi në afërsi të hotelit, ku ishin të punësuar vëllezërit, kanë goditur me thikë 41-vjeçarin, banues në Tepelenë, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ndërroi jetë në spitalin e Sarandës.
Dy vëllezërit akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Bashkë me ta është arrestuar edhe pronari i tyre G. A., 41 vjeç,, pasi ka tentuar të fshehë ngjarjen.
Ky i fundit akuzohet për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi nuk ka pranuar të tregojë rrethanat e kësaj ngjarjeje për krimin e kryer nga punëtorët e tij, si dhe ka kryer veprime për fshehjen e provave në lidhje me këtë ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel