Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit përkujtoi në Shpal të Mirditës, 17 gushtin e vitit 1949, ditën kur u ekzekutua me vendim gjyqësor masakra ndaj 14 të pafajshmëve, mbi “indicie, presumime dhe prova indirekte”.

Autoriteti u përfaqësua nga anëtarët, znj. Gentiana Sula, z. Gjergj Marku dhe z. Skënder Vrioni, një një organizim përkujtimor të shoqatës “14 Martirët e Demokracisë”, me praninë përfaqësuesve të ISKK dhe të z. Ethem Fezollari, të Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë, z. Kolë Nikolli, z. Filip Gjomarku e z. Preng Gjergj Beleshi, mes familjarëve të të ekzekutuarve pa faj, të gjithë të dënuar për disa breza.

Dom Gjergj Meta, ipeshkvi i Rrëshenit mori pjesë në ceremoninë përkujtimore pranë varrit të përbashkët të 14 të ekzekutuarve dhe drejtoi meshën në kishën e Shpalit, ceremoni që çdo vit kthen vëmendjen në një plagë traumatike e të pambyllur të familjeve, komunitetit dhe shoqërisë, dënimit kolektiv të të pafajshmëve për vrasjen e deputetit të Kuvendit Popullor të kohës, Bardhok Biba.

Vrasja në pritë e Bardhok Bibës, oficer Sigurimi dhe njëherësh “Hero i Popullit”, e shenjoi përgjithnjë Mirditën, nga ku u shpërngulën me forcë me kamionë, me qindra familje, nga shtëpitë e tyre shekullore, për në kampin me tela me gjemba të Tepelenës.

Historitë e tyre kanë mbushur faqet e memuareve, rrëfimeve mbi kushtet çnjerëzore e të pamundura të kampeve, dhe ende sot trazojnë jetët e familjeve të atyre që u dënuan për t’u bërë shembull në masë, në breza, pa prova…

Më 17 gusht 1949 u varën në litar: Preng Dedë Kola, nga Oroshi; Pjetër Dedë Vila dhe Pjetër Paloka nga Kaçinari; Dodë Mark Biba, nga Kthella e Epërme.

U pushkatuan: Nikollë Bardhok Bajraktari, nga Rrësheni; Llesh Gjon Mëlyshi, nga Malaj; Nikollë Llesh Bajraktari, nga Oroshi; Ndrecë Mark Ndoj e Frrok Mata, nga Kaçinari, Bardhok Dodë Gjini, nga Proseku; Gjok Gjin Kaçi, nga Bukmira; Gjergj Beleshi, nga Kthella e Epërme; Ndoc Gjet Çupi, nga Blinishti dhe Preng Shkurt Nikolli, nga Oroshi.

Ende sot, 14 të ekzekutuarit martirë, siç i konsiderojnë familjarët që i përkujtojnë nëpërmjet shoqatës me të njëjtin emër, prehen në një varr të përbashkët, siç ishin dAitën e 17 gushtit 1949, kur jetët e tyre u prenë në mes.

Në fjalën e saj mbajtur me këtë rast kryetarja  e Autoritetit,  znj. Gentiana Sula tha se:

“Për këtë ngjarje në arkiva ka dokumente, si në Autoritet ashtu edhe në arkivin e qytetit, që kjo histori të zbradhet. Kjo histori, jo vetëm masakara por edhe ngjarjet që e pasuan atë duhet të zbardhen, të bazohet në dokumenta, të bëhet sa më e besueshme për të gjithë gjeneratat që vijnë sepse është një histori, një dramë kolektive e gjithë rajonit, i cili nuk do të gjej paqe pa u zbardhur deri më në fund e vërteta.”

Kjo ngjarje ishte një akt terrori të pastër sepse komunistët imponuan mënyrën e tyre të jetesës, ideologjinë e tyre politike pa llogaritur jetët njerëzore po thjesht të kryenin axhenden e tyre politike.

Sot jemi këtu për familjet e viktimave të cilët ende e kanë plagë  të hapur dhe me lot në sy duan që të zbardhet  e verteta.”

Institucionet qendrore e vendore u detyrohen familjeve, siç i detyrohen komunitetit vendas dhe shoqërisë, për trajtimin me dinjitet të atyre që nuk janë më, duke u dhënë mundësi familjeve t’i nderojnë në vendprehjen e fundit, sipas zgjedhjes së tyre, individuale.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA