Nisin përgatitjet për skenën e Sunny Hill Festival në Tiranë, Veliaj: Qyteti fiton të ardhura ekonomike të jashtëzakonshme

15/08/2022 18:26

Në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës kanë nisur përgatitjet për vendosjen e skenës ku do performojnë yjet e muzikës të ftuar nga Dua Lipa në 4 ditët e Sunny Hill Festival Tirana 2022.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të hapësirës ku do të zhvillohet festivali, u shpreh i bindur se ashtu siç u menaxhua ndeshja e finales së Konferencë Ligës, me të njëjtin sukses Tirana do të presë dhe festivalin e Dua Lipës.

“Po fillojmë përgatitjet për të pritur ndoshta aktivitetin më të madh kulturor në vitin që Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë. Dua Lipa dhe gjithë grupi i “Sunny Hill Festival” do të transferohet për herë të parë në Shqipëri dhe do të kemi një edicion të Tiranës në datat 26 – 29 gusht. I gjithë fundi i gushtit do të jetë plot me muzikë dhe ndërkohë tashmë ka dhe aktivitete të tjera”, informoi Veliaj. Ai shprehur besimin se Sunny Hill Festival është një nga eventet më të mëdha kulturore. “Është një mënyrë se si sjell të rinjtë afër, jo vetëm të rinjtë e Kosovës e Shqipërisë apo shqiptarët e rinj kudo që janë, por edhe shumë të tjerë që do vijnë nga Italia, Greqia dhe i gjithë Ballkani. Mezi pres që ne të kemi një histori suksesi në Tiranë, edhe në menaxhimin e një eventi kaq të madh, ashtu siç patëm një histori suksesi me menaxhimin e ndeshjes UEFA Conference League,” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se zona në të cilën po punohet për skenën është pikërisht territori që u çlirua nga kioskat e ndërtimet pa leje në mes të parkut të gjelbëruar të Tiranës. “Për të gjithë ata që duan të orientohen, hapësira që do të përdoret është te pjesa e farit dhe fushave të kalçetos që është përballë pjesës së vjetër të liqenit. Bëhet fjalë për pjesën e re që u lirua nga ndërtimet pa leje nga administrata jonë dhe që është mbjellë, gjelbëruar. Gjithashtu kjo hapësira ka korsi biçikletash, vrapimi dhe ecjeje”, vijoi Veliaj. Sipas tij, ky ambient ka gjithashtu elementë bazë për të pasur një festival të këtyre përmasave, siç janë aksesi në energji elektrike, internet dhe kanalizime.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se festivali “Sunny Hill Festival” është një test i madh për Tiranën. “Unë jam i sigurt që këtë test do e kalojmë të gjithë bashkë. Çunat e gocat e Tiranës janë super të emancipuar, kështu që do ta kalojmë me shumë sukses. Deri tani, jam super i kënaqur dhe besoj që qyteti do të fitojë edhe të ardhura ekonomike të jashtëzakonshme. Kush vjen dhe rri 3-4 ditë në Tiranë, paguan hotelin, vaktet, konsumon nëpër dyqane, shkëmben me qytetin dhe unë besoj fort që duhet të shohim edhe aspektin ekonomik,” tha ai.

Veliaj solli në vëmendjen përfitimin ekonomik që i kanë ardhur Tiranës gjatë gjithë këtij viti me 1000 aktivitete për të rinjtë, teksa nuk la pa ironizuar ish-Presidentin Meta. “Kryeqyteti Europian i Rinisë i ka sjellë Tiranës rreth 1000 aktivitete. Secili prej tyre ka prodhuar ekonomi në të gjithë fushën e shërbimeve të qytetit, i ka rritur reputacionin Tiranës dhe duam të vijojmë kështu. E di që ka “çuna pazari” që e ngatërrojnë Tiranën me Kabulin. Atyre s’kemi ç’u bëjmë se kush do të shohë zi e më zi, zi do e shohë. Kush do të shohë pozitivisht dhe të shikojë si është transformuar ky qytet ndër vite, sigurisht ka mundësinë ta shohë. Besoj që ditët më të mira i kemi përpara” deklaroi kryebashkiaku. Ai informoi se Tirana ka aplikuar gjithashtu të jetë Kryeqyteti Europian i Sportit për 2023. Sipas tij, kjo do të thotë që kemi një shans fantastik që të prodhojmë po aq shumë energji, reputacion dhe aktivitete për Tiranën në fushën e sportit, siç po bëhet për rininë.

Stafi organizator i “Sunny Hill Festival” ka konfirmuar emrat e parë që do të jenë në Tiranë: reperi i famshëm italian mjaft i pëlqyer edhe në Shqipëri, Fedez, këngëtarët e dashur për publikun shqiptar Dren Abazi dhe Elgit Doda, këngëtarja kosovare Dafina Zeqiri, DJ Regard , Dj Merk & Kremont, DJ Drop G dhe Tananai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA