Tajvani: Avionët kinezë shkelën hapësirën tonë ajrore

12/08/2022 15:45

Ministria e mbrojtjes së Tajvanit bëri të ditur të premten se dhjetë avionë kinezë kaluan përgjatë ngushticës së Tajvanit, një kufi jozyrtar midis Kinës dhe Tajvanit.

Forcat ajrore të Kinës kanë fluturuar në mënyrë të përsëritur përtej linjës gjatë javës së kaluar si pjesë e stërvitjeve ushtarake të organizuara pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi në ishullin e pretenduar nga Kina, vizitë të cilën Pekini e kundërshtoi ashpër.

Kina ka thënë se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe se nuk do të tolerojë “veprimtaritë separatiste” në ishull, duke kërcënuar se do ta marrë me forcë nëse është e nevojshme.

Një ditë pasi Kina përfundoi stërvitjet në shkallë të gjerë në ngushticën e Tajvanit, Tajvani kreu dy stërvitje ushtarake. Ushtria e Tajvanit tha se stërvitjet ishin planifikuar më herët dhe nuk ishin në përgjigje të veprimeve të Pekinit.

Ndërkohë, ministria e jashtme e Kinës tha të premten se kishte vendosur sanksione ndaj zëvendës ministres lituaneze të Transportit dhe Komunikacionit, Agne Vaiciukeviciute, për vizitën e saj në Tajvan.

Ministria e Jashtme tha se Pekini do të pezullojë gjithashtu angazhimin me ministrinë e Vaiciukeviciute dhe bashkëpunimin për transportin me Lituaninë, një republikë e vogël baltike.

Ministria e Transportit dhe komunikacionit e Lituanisë tha se nuk kishte marrë asnjë informacion zyrtar në lidhje me këtë çështje dhe nuk pranoi të komentonte më tej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA