Kosovë, paralajmërime për krizë energjetike në sezonin e dimrit

11/08/2022 21:51

Në Kosovë autoritetet thonë se dimri i këtij viti pritet të jetë mjaft sfidues për shkak të krizës energjetike botërore, pamundësisë që vendi të përmbushë nevojat e tij me prodhimin e brendshëm të energjisë elektrike dhe çmimeve të larta të importeve. Qeveria ka miratuar masa emergjente që përfshijnë edhe kursimin e energjisë elektrike, pjesa më e madhe e së cilës gjatë dimrit shpenzohet për ngrohje.

Kosova po bëhet gati për një dimër sfidues për shkak të krizës energjetike në botë dhe rritjes së çmimit të importeve që janë të domosdoshme meqë vendi nuk i përballon dot nevojat me prodhimin e brendshëm.

Zëdhënësi i Kompanisë për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike në Kosovë, Viktor Buzhala, në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se aktualisht çmimi mesatar i energjisë është 500 euro për një megavat, një çmim pesë herë më i lartë se vitin e kaluar.

“Tani çmimet janë në qiell dhe është shumë e vështirë edhe të sigurohet energjia elektrike edhe me këto çmime. Ne kemi konkurruar disa herë në berzat ndërkombëtare dhe vazhdimisht kemi një ofertë apo nuk kemi ofertë fare, që do të thotë energjia elektrike në Evropë është bërë mall i rrallë. Kur e përfshijmë këtu edhe çmimin i cili gjatë mesit të muajit korrik shënoi rekord, edhepse jemi në stinën e verës ku çmimet janë zakonisht më të ulta, atëherë këta janë indikatorë se na pret një dimër mjaft i vështirë”, tha ai.

Zoti Buzhala tha se gjatë dimrit mbi 70 për qind e energjisë elektrike shpenzohet për ngrohje.

“Ndryshimit duhet të fillojë qysh tash, qytetarët duhet t’i përgatisin kaldajat apo sistemet e tyre të ngrohjes për forma alternative, si lëndët djegëse dhe format tjera në mënyrë që të lehtësohet sistemi. Ndryshe, do të jetë shumë e vështirë, pasi që kjo krizë në të cilën vetëm jemi tash, gjithmonë do të vijë duke u thelluar me rritjen e kërkesës, rritjen eventuale të çmimeve, pra ndryshimin e parametrave për të keq”, tha ai.

Qytetarët me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës thonë se janë të ndërgjegjshëm për krizën me energjinë…

“Unë ngrohem me ngrohje qendrore me rrymë, mirëpo tash duhet të mendoj të ndryshoj diçka ngase rryma është shtrenjtë shumë, unë si pensioner nuk mund ta përballoj. E kam mundësinë edhe me pelet (copëza druri të ngjeshura) por edhe çmimi i tij ka shkuar shumë lart, ka qenë 200 euro toni, tash është 400. Me të vërtetë kemi telashe, është shumë vështirë sepse unë ta zëmë me 200 euro nuk kam mundësi të paguaj rrymën për t’u ngrohur”, thotë Lutfi Breznica, banor i Prishtinës.

“Tash njerëzit janë përgatitur më shumë, e dinë se si ka qenë dimri i kaluar e tash kanë më shumë kujdes në harxhime. Sidomos ngrohja me rrymë ka më shumë harxhime, por kanë filluar të gjithë të tërhiqen prej ngrohjes me rrymë e të kalojnë në mundësi të tjera me dru e tjera”, thotë Latif Shabani, një tjetër banor i Prishtinës.

Në fillim të maujit qeveria e Kosovës, miratoi disa masa emergjente për shpenzimin e energjisë, që përfshijnë “ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe masa për kursimin e energjisë elektrike nga të gjitha institucionet”.

Ekspertë të sistemit energjetik thonë se këto masa janë të dobishme por të pamjaftueshme për të përballuar situatën e krijuar.

Dardan Abazi hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) i tha Zërit të Amerikës se duhet të punohet me ritëm shumë më të shtuar për të zbutur ndikimin e krizës energjetike.

“Ne mendojmë që qeveria duhet të punojë në njërën anë në kontrollimin e konsumit të energjisë përmes masave të efektshmërisë, rritjes së buxhetit për fondin e rritjes së efektshmërisë dhe zgjerimin e aktiviteteve të investimeve në ndryshim të kaldajave, projekte të izolimit të shtëpive dhe projekte të tjera të efektshmërisë. Në anën tjetër konsiderojmë që qytetarët duhet të ndihmohen qoftë përmes subvencionimit të peletit (copëzave të drurit të ngjeshur), subvencionmit të drurit apo edhe organizimit të prerjeve të ligjshme të drurit, në mënyrë që të mos ketë nevojë për konsum të energjisë për ngrohje gjatë muajve të dimrit”, thotë ai.

Përndryshe, thotë zoti Abazi, hapat më afatgjatë duhet ta çojnë Kosovën drejt kalimit në energji të ripërtërishme.

“Pra duhet të na çojnë drejt transformimit të sistemit tonë energjetik nga një sistem që varet nga burimet fosile të qymyrit në një sistem që bazohet në burime të ripërtërishme të energjisë, në energji të efektshme, në liberalizimin dhe modernizimin e tregut dhe rrjetit tonë qoftë të transmisionit, qoftë të shpërndarjes sepse vetëm kështu mund të projektojmë një të ardhme të sigurtë të tregut të energjisë. Vetëm kur të mos varemi nga vetëm një qytet, siç është Obiliqi, për prodhim të energjisë, ne mund të flasim për siguri energjetike. Prodhimin duhet ta kemi të shumëfishuar e të decentralizuar gjithandej Kosovës, ndërsa konsumin sa më të paktë përmes rritje së efektshmërisë së sistemit të furnizimit me energji, investimeve në fuqizim të rrjetit, reduktim të humbjeve dhe tregtim sa më efikas të energjisë”, thotë ai.

Zoti Abazi thotë se marrëveshja e qeverisë së Kosovës me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit për fondin më të madh që ka marrë vendi deri sot për sektorin energjetik, është thelbësore për arritjen e sigurisë dhe pavarësisë energjetike të vendit në të ardhmen.

Aktualisht në Kosovë 95 për qind e energjisë prodhohet nga dy termocentrale të vjetra dhe vetëm pesë për qind nga burimet e ripërtërishme si dielli, era apo uji./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA