10 muaj nga zgjedhjet lokale, Ilir Meta ka veshur një kostum të ri, atë të opozitarit luftarak. I vetëdijshëm për peshën e vogël të partisë së tij në Parlament me vetëm 4 deputetë, Ilir Meta duket se po kërkon të fitojë pushtet në garën më të afërt elektorale. E bëri të qartë se Bashkia Tiranë është e preferuara e tij.
“Tirana do jetë e para kundër tiranisë së betonit. Tirana ka hak për të marrë për t’i dhënë fund shkatërrimit të jashtëzakonshëm. Tirana është kryeqyteti i pastrimit të parave të zeza te mafia”, tha Meta.
Por beteja për Tiranën kërkon një kandidat të fortë. Ilir meta la të kuptohet se edhe ai mund të ishte një kandidat potencial përballë Erjon Veliajt i cili kërkon mandatin e 3-të si kryebashkiak. Problem ama mund të jetë nisma që socialistet thanë do ta kthejnë në ligj në shtator: Atë që të ndalojë ish sigurimsat të kandidojë për poste publike dhe politike.
“Ky bën si i fortë? Kush është ky? Se ka merak dhe identitetin tim, ka hall a e kam mbiemrin Merak apo Meta. Unë se kam ndryshu as emrin as mbiemrin as babën dhe se kam denoncuar asnjëherë në gjyq. Jam Ilir Rexhep Meta. Siç shemba në emër të ligjit, në emër të së ardhmes të Tiranës gjithë ato kioskat e të gjithë fortëve të Tiranës që ishin tek parku Rinia, kështu do të shemb i pari unë dhe të gjithë ju dhe nja 1 milionë qytetar të Tiranës sëbashku këtë kalbësirë regjim“, u shpreh Meta.
Por luftën Ilir Meta duket se nuk e ka me Erion Veliajn. Shënjestër e sulmeve të tij është Edi Rama.
“Jam i lumtur që jam edhe çun i pazarit të ri. Kështu që si çun i pazari të ri që jam unë, do ti them çunit të Kristaqit që unë i bie më të fortit dhe e këpus në mes. Kur firmos thotë ai, unë nuk shoh se firmos fët e fët. Fët e fët firmos ti po ato mbeten aty“, shtoi më tej ai.
Ne karrierën e tij politike, Ilir Meta i ka provuar të gjitha kostumet, atë të kryeministrit, kreut të kuvendit dhe Presidentit, e mesa duket së fundmi po e josh një tjetër karrige, ajo e Kryebashkiakut.
Top Channel