Cilësohet si perla e Stambollit/ Njihuni me “Yerebatan Sarnıcı” pallatin e zhytur në ujë

07/08/2022 19:00

“Yerebatan Sarnıcı” që fjalë për fjalë në turqisht do të thotë “pallat i zhytur në ujë”, njihet më shumë me emrin e një cisterne nëntokësore, e cila ndodhet në nëntokën e Stambollit.

Është një nga ato vende që të gjithë shkojnë e shohin kur vizitojnë qytetin më turistik të Turqisë. Cisterna u ndërtua në vitin 532 nga Perandori Justiniani I, gjatë periudhës më të begatë të Perandorisë Romake të Lindjes.

Më parë aty ekzistonte një strukturë që datonte në periudhën e Perandorit Kostandin, por ajo u zgjerua dhe u ndryshua plotësisht. Sot ajo është rreth 10 mijë metra katrorë.

Në atë kohë, rezervuari mund të mbante deri në 80 metra kub ujë. Shërbente për të ujitur vilat më të bukura, madje edhe kopshtin Topkapi, atë të rezidencës së vetë sulltanit. Sidoqoftë, në një moment të caktuar të periudhës mesjetare, nuk u përdor më, pasi turqit preferonin ujin e rrjedhshëm sesa atë të një cisterne.

Ajo u zbulua rastësisht vetëm 500 vite më vonë, gjatë disa gërmimeve arkeologjike në rrënojat e Bizantit nga arkeologu P. Gyllius. Për shekuj ka mbetur kjo mrekulli që shumë prej nesh kanë pasur fatin ta shohin. Është një dhomë e madhe nëntokësore e mbushur me ujë. Përmasat e saj janë rreth 140 metra me 70 metra dhe mbështetet nga 336 kolona të larta 9 metra secila, të renditura në 12 radhë në pak më pak se 5 metra njëra nga tjetra. Kapitelet e kolonave janë të stileve të ndryshme, dorike, korintike etj., pasi ato vijnë nga struktura të tjera dhe të ripërdorura. Dëshmi për këtë janë dy koka të përmbysura Meduza.

Ndërtesa i është nënshtruar viteve të fundit restaurimit, i cili zgjati 5 vjet. Gjatë restaurimit u ngritën kolona çeliku për të lidhur 336 kolonat e ndërtesës, 12 radhë nga 28, secila 9 metra e lartë. Muret me tulla rozë u pastruan nga gjurmët e lëna nga disa ndërhyrje të papërshtatshme. Përtej ndërhyrjeve teknike, të nevojshme për ruajtjen e ndërtesës, restaurimi është përpjekur të mbrojë karakterin mistik, thuajse shpirtëror, të dhomës, duke krijuar një spektakël dritash që ndryshon perspektivat dhe shfaq detajet e fshehura. Cisterna është skenë e filmit të dytë të James Bond “From Russia with Love” dhe  “Inferno”, përshtatje e librit të Dan Brown, në vitin 2016.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA