Te Barcelona nuk punohet vetëm për sezonin 2022-2023, pasi drejtuesit kanë nisur të mendojnë edhe për një plan më afatgjatë që prek sezonin e ardhshëm dhe vitet në vijim.
SuperSport shkruan se synimi mbetet i njëjtë, të përforcohet sa më shumë të jetë e mundur organika e trajnerit Xavi Hernandez pasi presidenti Joan Laporta kërkon të nisë një tjetër epokë të lavdishme me blaugranat.
Kështu, objektivi i merkatos për verën e vitit 2023 është përcaktuar dhe energjitë dhe resurset financiare të Barcelonës do të përqëndrohen tekTrent Alexander-Arnold.
Anësori i djathtë që konsiderohet si një nga më të mirët në rolin e tij, duket i duhuri për Barcelonën që gjatë historisë së saj është mësuar me Dani Alves në një rol të tillë.
Edhe Arnold ka të njëjtat karakteristika si braziliani dhe preferon të sulmojë më shumë se sa të mbrojë. Ndaj, spanjollët po mendojnë një oferrtë rreth 67 milionë paund për Liverpool-in, megjithatë një shifër e tillë në merkaton aktuale për një nga futbollistët më të mirë në qarkullim, duket e pamjaftueshme.
Aq më tepër kur 23-vjeçari ka një kontratë që e mban te anglezët deri në vitin 2025 teksa Barça duhet të marrë parasysh edhe lidhjen shpirtërore që Arnold ka me Liverpool-in duke qenë se The Reds janë deri më tani klubi i vetëm për mbrojtësin.
Gjithsesi, historia është në anën e Barcelonës pasi në të kaluarën spanjollët kanë transferuar në Camp Nou shumë lojtarë nga Anfield si Luis Suarez, Javier Mascherano apo Philippe Coutinho.
Top Channel