Veteranët refuzojnë Kurtin/ Propozimi për një ligji të ri, konsiderohet si ndërhyrje e kryeministrit ndaj gjyqësorit

03/08/2022 12:24

Organizatat e dala nga lufta nuk kanë pranuar propozimet e Qeverisë së Kosovës për t’i ndalur protestat.

Në një letër që ka publikuar ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL – UCK-së, Faton Klinaku sqaron se propozimet e kryeministrit Albin Kurti ndërhyjnë në procesin gjyqësor të pastrimit të listave të veteranëve.

“Propozimi juaj që të fillojmë hartimin e një ligji të ri i cili nis një proces vlerësimi dhe verifikimi për të gjithë pjesëmarrësit e luftës çlirimtare, konsiderojmë që është ndërhyrje në procesin gjyqësor”, thuhet në letrën e veteranëve.

Propozimit të Kurtit për ligjin e ri për verifikim të veteranëve, OVL-UCK ia ka bashkangjitur disa kushte që kanë të bëjnë me marrjen e dosjeve të veteranëve nga prokuroria, shpalljen të pavlefshëm ose kthimin e procesit gjyqësor në pikën zero dhe formimin e një komisioni të ri qeveritar.

Tutje për propozimin e qeverisë për ndihmë në punësim dhe subvencionim të pagës për veteranët, këta të fundit kanë kërkuar nga Qeveria të shfuqizojë nenin ku i kushtëzon veteranët se nëse punojnë nuk mund ta marrin pensionin e tyre.

Kërkesë kryesore e veteranëve përsëri mbetet lidhja e vlerës së pensionit të tyre me pagën minimale dhe vazhdojnë të kundërshtojnë ligjin që u miratua në Kuvendin e Kosovës dhe që i përjashton veteranët nga ky ligj.

Veteranët e luftës së Kosovës marrin pensionin në vlerë prej 170 euro tash e një dekadë dhe mbajtën dy protesta para parlamentit në momentin që u votua ligji për pagën minimale dhe që i lë jashtë pensionet e tyre.

 

Top Channel