Një ditë pas ngjarjes tragjike të plazhit të Potamit ku humbi jetën një fëmijë 7 vjeç, plazhet e Durrësit dhe Golemit janë plot me pushues të cilët shprehen të shqetësuar për masat e sigurisë dhe praninë e shpeshtë të mjeteve lundruese pranë tyre.
Pushues:
”Nuk është keq, po as ndonjë siguri e madhe. Nuk shohim njerëz të përgatitur se kur je me fëmijë gjithçka mund të ndodhë. Duhet të jemi vetë vigjilentë që të ndërhyjmë”.
”Na shqetëson se kemi fëmijë… Duhet me i heq skafet. E ka në dorë shteti”.
”Këto duhet të zhduken fare. Ka fëmijë. Është rrezik i madh dhe duhet pasur një vend special për to, ose rregull dhe kontroll më shumë”.
”Nuk ka as staf për shpëtim të fëmijëve dhe të rriturve. Nuk po shoh asgjëkundi”.
”Është rast i keq çfarë ndodhi atje. Ngushëllime familjes. Siç e shoh unë këtu është me kujdes gjithçka”.
”Nuk kam pasiguri se besoj se njerëzit që lundrojnë këtu janë dashamirës”.
”Edhe unë kam dy fëmijë të vegjël dhe shpresoj që shteti në mënyrë emergjente të marrë masat e duhura. Siç e shikoni ka 2-3 motorë uji në det që janë shumë të rrezikshme. Uroj që masat nga shteti të merren menjëherë pasi ajo që ndodhi dje na ka tronditur jashtëzakonisht shumë”.
Planet nuk kanë nevojë për koment. Edhe pse kordonet e sigurisë së daljes në det të mjeteve ekzistojnë, gjatë lundrimit distancat e mjeteve lundruese me pushuesit shkrihen.
Këtë të mërkurë policia kufitare dhe ajo e rendit në Durrës nisën kontrollet në det dhe bregdet. Tre skafe të vogla mësohet se u bllokuan për mungesë dokumentacioni në çastin e kontrollit.
Përgjatë bregdetit të Durrësit ndodhen 6 vendbazime të licencuara për mjetet e lundrimit për qëllime turistike dhe argëtuese, 3 prej tyre te Shkëmbi i Kavajës dhe të tjerat në plazhin e madh të Durrësit.
Sipas Task Forcës pranë prefekturës Durrës këto stacione sezonale funksionojnë në bazë të kritereve të përcaktuara në ligj, por ndaj tyre do të ushtrohet sërish kontroll për zbatimin e masave të sigurisë.
Në plazhet e Golemit ndodhen edhe 3 vendbazime të tjera. Veç tyre në det qarkullojnë dhe mjaft motorë uji në pronësi të individëve, që nuk njohin rregulla veç argëtimit.
Ngjarja e Potamit, po dhe ngjarje të tjera të këtij sezoni turistik kërkojnë marrjen e menjëhershme dhe të vazhdueshme të masave për pushime të sigurta në plazhe.
Velipoja:
Velipoja duket se është plazhi i cili ka me pak probleme nga lëvizjet e mjeteve motorike të ujit. Në të gjithë këtë pike turistike janë 3 stacione ku lëshohen me qera motorët e vegjël ndërsa vendet për skafet dhe gomonet janë larg zonës ku qëndrojnë pushuesit.
Pak me të frikësuar janë fëmijët të cilët lahen në breg të detit prandaj ata kanë një apel.
Në të gjithë gjatësinë e plazhit të Velipojës janë vetëm disa zona të vendosura për motorët e vegjël të ujit por pushuesit kërkojnë që të ketë me shume parametra sigurie dhe patrullime nga ana e policisë.
Shëngjin:
Edhe në Shëngjin sot kishte më pak mjete ujore. Ajo çfarë ndodhi në Himarë i ka trembur pushuesit.
Disa ditë më parë 9 qytetarë janë penalizuar nga Policia Kufitare për shkelje të rregullave detare deri në konfiskim të mjetit lundrues.
Ndërsa është paralajmëruar se do të ketë edhe masa të tjera ndëshkuese për të gjithë ata që nuk zbatojmë rregullat e përcaktuara me ligj.
Top Channel