Karteli më i dhunshëm meksikan sulmon karvanin e makinave të presidentit (fotot)

02/08/2022 16:40

Karteli meksikan i drogave ‘Jalisco Nueva Generation’ ka hapur zjarr dje ndaj karvanit të makinave zyrtare të Guatemalës, por presidenti Alejandro Giammattei raportohet se nuk është përfshirë në incident.

Ata që ishin në dukje anëtarë të bandës së Jalisco New Generation, kanë hapur zjarr kur pikasën karvanin e makinave zyrtare në fshatin  La Laguna pranë kufirit Guatemala-Meksikë, gjatë turneut të vizitave të presidentit Alejandro Giammatte.

Garda e presidentit ishte duke udhëtuar rreth fshatrave të dielën para se të pikasnin grupin e njerëzve të armatosur.

Zyrtarët kishin kërkuar që njerëzit e armatosur të ndalonin avancimin dhe kjo kishte nisur shkëmbimin e zjarrit.

Josué López Velázquez, një nga drejtuesit e kartelit, u plagos gjatë sulmit dhe është arrestuar tashmë nga policia.

Ushtria e Guatemalës tha në një përditësim në Twitter: “Pjesa tjetër e sulmuesve u arratisën drejt Meksikës, ndërsa autoritetet atje njoftuan se kanë ndaluar katër shtetas nga Guatemala”.

Presidenti guatemalas i cili ka ardhur në pushtet në 2020, kishte nisur një seri vizitash në zonë por ishte në një tjetër qytezë gjatë përplasjes.

Duke nisur nga shteti meksikan i Jalisco, karteli është përhapur tashmë në të gjithë vendin dhe ka nisur të infiltrojë disa vende të tjera të Amerikës Latine si El Salvador, Honduras, Nicaragua, Colombia, Chile e Guatemala.

Karteli është përplasur dhe herë tjetër me zyrtarë në Guatemala me akuza për “vjedhje” të drogave të kreut të tyre Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho.”

Autoritetet në SHBA kanë vendosur një shpërblim prej 10 milionë dollarë për informacione që çojnë në kapjen e El Mencho.

FOTO GALERI
1/5
Karteli meksikan i drogave ‘Jalisco Nueva Generation’ ka hapur zjarr dje ndaj karvanit të makinave zyrtare të Guatemalës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA