Një vend perfekt për të bërë pushime, mësoni gjithçka që duhet të dini rreth Kretës

01/08/2022 14:11

Kreta është origjina e qytetërimit perëndimor. Me trashëgimi të pasur historike e arkeologjike, me plazhe, lugina dhe male magjepsëse, Kreta është padyshim një nga vendet më tërheqëse për turistët në mbarë botën.

Top Albania Radio shkruan se për të zbuluar këtë vend është mirë të kesh një makinë, të cilën mund ta marrësh me qira me çmime të favorshme.

Rrugët janë në gjendje të shkëlqyer dhe vizitat rreth ishullit janë vërtet një aventurë për t’u mbajtur mend.

Knossos dhe Phaistos, janë dy pika të rëndësishme për t’u ndalur dhe për të parë arkitekturën minoane, ku ruhen objekte magjepsëse të këtij qytetërimi misterioz.

Mikenasit në antikitet, por edhe qytetërime të tjera si ajo e Venedikut kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në Kretë.

Venedikasit e dominuan Kretën nga viti 1204 deri në 1669, pastaj  nisi sundimi turk. Kreta gjithashtu ra nën sundimin egjiptian.

Të gjitha këto qytetërime kanë ndikuar që Kreta të jetë një konglomerat kulturash, ku gërshetohen natyrshëm stile dhe tradita të ndryshme. Shatërvanë dhe pallate të stilit venecian, xhami dhe tregje tipike orientale, si dhe gastronomi e muzikë greke.

Nuk është e pazakontë të gjesh edhe manastire të izoluara, ku shpesh rrëfehen ngjarje heroike kundër pushtuesve turq.

Përveç historisë, kulturës dhe arkeologjisë, Kreta ofron edhe mrekulli të shumta natyrore, si Gryka e Samarisë në shpellat e Zeusit, malet mbi dy mijë metra të larta, pllajat me mullinj ere dhe pamje të shumta befasuese, veçanërisht në pranverë, kur livadhet mbulohen me njëmijë ngjyra.

Sigurisht deti është një nga motivet kryesore për të vizituar Kretën, veçanërisht bregdeti verior me një sërë plazhesh me rërë të bardhë dhe rozë. Falassarna, Elafonissi, Georgopulo janë plazhe të rrethuara nga korija të mëdha me palma.

Vitet e fundit që turizmi është zhvilluar shumë, në Kretë është investuar duke ngritur hotele dhe resorte të shumta luksoze.

Megjithatë, alternativat nuk mungojnë dhe vizitorët mund të zgjedhin të pushojnë edhe në shtëpitë e vendasve, të cilët ofrojnë dhoma apo apartamente me çmime të ndryshme.

Gastronomia është një tjetër pikë e fortë e turizmit në Kretë. Produkte të shumta vendase, duke filluar nga mishi i pulës, qengjit, perimet e stinës dhe padyshim peshku i freskët dhe frutat e detit.

Tavernat dhe lokalet ofrojnë specialitete të shumta si Chtapodi, oktapodi i pjekur në skarë; kalamarakia, kallamarët e pjekur dhe të shoqëruar me salca të ndryshme dhe pafund receta ëmbëlsirash.

Bregdeti jugor me plazhet e tij me guralecë është më pak i frekuentuar, por deti është gjithmonë i pastër dhe tërheqës. Zonat si Preveli, Agia Fotia dhe Matala kanë avantazhin se kanë mbajtur të paprekur natyrën. Gjithashtu, ato shquhen për mikpritjen e jashtëzakonshme që ka për simbol, një dolli me raki.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA