​Salzburgu fik dritat në pikat historike të qytetit për shkak të kursimeve

01/08/2022 22:01

Qyteti austriak Salzburg, në mes të sezonit turistik, ka fikur dritat në atraksionet e tij kryesore një orë më herët, për të kursyer energjinë elektrike në një kohë kur vendi si e gjithë Evropa po përballet me një krizë energjetike.

Duke filluar nga sot, projektorët që ndriçojnë pamjet kryesore, përfshirë kështjellën Hohensalzburg, do të fiken një orë më herët, njoftoi këshilltarja e qytetit Martina Berthold.

Zvogëlimi i dritave në Hohensalzburg, një nga kështjellat më të mëdha mesjetare të Evropës që ngrihet mbi qendër të qytetit, do të jetë veçanërisht efektive sepse kërkon rreth 13.000 vat, tha Berthold.

Kishat dhe monumentet në qytetin në veriperëndim të Austrisë do të preken gjithashtu nga masa.

Kjo masë vjen në të njëjtën kohë kur Festivali i famshëm i muzikës dhe dramës në Salzburg është në aktivitet të plotë, një ngjarje që zakonisht ndiqet nga qindra mijëra vizitorë.

Në Linz, autoritetet e qytetit njoftuan këto ditë se dritat në ura dhe ndërtesa të tjera publike do të fiken në orën 23:00.

Qyteti Feldkirch, në provincën perëndimore austriake të Vorarlberg, ka njoftuar se planifikon të ndalojë ndriçimin e qendrës së tij historike të qytetit gjatë natës, jo vetëm për të ulur kostot e energjisë elektrike, por edhe për të motivuar qytetarët për të kursyer energji, tha kryebashkiaku Wolfgang Matt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA