Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për tensionet në komunat veriore të Kosovës.
Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.
Të dielën, rrugët janë bllokuar edhe në pjesë të tjera në veri të Kosovës.
Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, janë përgjegjësit kryesorë për situatën në veri të Kosovës. Petkoviq, në anën tjetër, ka akuzuar Kurtin për krizën.
“Fajtori i vetëm për situatën aktuale në Kosovë dhe Metohi është Albin Kurti, i cili me lëvizjet e tij të papërgjegjshme po shkakton krizë të re në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Petkoviq në një deklaratë me shkrim.
Petkoviç tha gjithashtu se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje për paqe, stabilitet dhe dialog, si mekanizmi i vetëm për normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura.
“Mesazhi i vetëm i dërguar sot [ 31 korrik, 2022] nga Rashka dhe Beogradi është mesazhi i paqes dhe nevoja për respektimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin urgjent të Asociacionit të Komunave Serbe”, tha Petkoviq.
Petkoviq tha se dërgimi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në veri është nxitje e situatës.
Ai i bëri këto deklarata pasi serbët lokal bllokuan rrugët kryesore që dërgojnë në pikat kufitare në veri, Jarinjë dhe Bërnjak.
Në orët e mbrëmjes së 31 korrikut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Petkoviqin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për nxitje të tensioneve si dhe bllokimin e rrugëve në veri.
Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.
Qeveria e Kosovës ka thënë se më 1 gusht do të nisë lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.
Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.
Po ashtu të hënën pritet të hyjë në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave ma targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe./REL
Top Channel