Biden sërish me Covid, presidenti amerikan: Jam mirë, por duhet të rri i izoluar

31/07/2022 12:33

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka rezultuar sërish  pozitiv për COVID-19, njoftoi të shtunën mjeku i Shtëpisë së Bardhë.

Vetë presidenti Biden në një video të shkurtër tha se nuk ka asnjë simptomë dhe ndihet “shumë mirë”.

“Nuk kam asnjë simptomë dhe do të izolohem për hir të sigurisë të të gjithë personave përreth meje. Unë ende jam duke punuar dhe do t’i rikthehem terrenit shumë shpejt”, tha Biden.

Biden, i cili rezultoi pozitiv për sëmundjen COVID-19 nëntë ditë më parë, por më pas rezultoi negativ dy herë gjatë kësaj jave, do të rikthehet në izolim, tha mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Kevin O’Connor.

Ai shtoi se ky ishte një rast i rrallë i rikthimit të virusit, pasi presidenti u shërua nga sëmundja duke iu nënshtruar një terapie me ilaçe anti-virale.

Biden e ka përshkruar përvojën e tij të mëhershme me COVID-19 si të lehtë, duke thënë se ishte në gjendje të punonte nga izolimi. Ai ka argumentuar se kjo ishte falë vaksinave që ka marrë dhe trajtimeve të tjera.

 

Top Channel