Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, për të diskutuar rreth gjendjes së sigurisë në vend dhe për t’i bashkërenduar aktivitetet ndërinstitucionale në funksion të zbatimit të ligjshmërisë dhe të sundimit të ligjit në vend.

Nesër, më 1 gusht 2022, hyn në fuqi zbatimi i vendimit të Qeverisë i datës 29 qershor, për fillimin e konvertimit të targave në ato zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe për kalimin kufitar me fletë-deklarime të përkohshme që zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia, sikurse shtyhet afati për mbulimin e simboleve dhe emërtimeve shtetërore serbe, për automjetet që hyjnë në territorin tonë. Afat ky që shtyhet deri më 31 tetor 2022.

“Institucionet tona kanë zhvilluar tashmë të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve, dhe në këtë drejtim i sigurojmë qytetarët tanë që mundësimi i zëvendësimit të targave ilegale, sikurse edhe kalimi i qytetarëve në pikë-kalimet kufitare do të procedohen në mënyrë të shpejtë, pa pengesa dhe në kohë të shpejt reale”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit për takimin e Këshillit të Sigurisë.

Sipas së njëjtës, theksohet se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në funksion të sigurisë, vendosjes së rendit publik dhe ligjshmërisë e sundimit të ligjit.

“Institucionet e Republikës së Kosovës qëndrojnë të përkushtuara e të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, çdoherë në bashkërendim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë strategjikë”, përfundon njoftimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA