Debati për bashkëpunëtorët e Sigurimit/ Zbardhen propozimet e PS për ndryshimet në ligjin e dosjeve

29/07/2022 16:49

Është zbardhur projektligji që shumica socialiste dërgoi në Kuvend, përmes të cilit synohet ndryshimi ligjit aktual duke i hapur rrugë bërjes publike të emrave të politikanëve që kanë bashkëpunuar apo janë rekrutuar nga ish-Sigurimi Shtetit.

Në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, PS propozon të bëhen këto ndryshime dhe shtesa: Në nenin 63, pika 3, ndryshohet si më poshtë: “Kandidat është shtetasi që plotëson kushtet e parashikuara në nenet 45 dhe 69 të Kushtetutës, për të cilin përfundon me sukses procesi i verifikimit të pastërtisë së figurës, dhe që regjistrohet si kandidat për deputet, si kandidat për kryetar bashkie ose për këshillat vendor në organet përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve”. Po ashtu, propozohet që: Subjekti zgjedhor, 70 ditë para datës së zgjedhjeve, për listën e kandidatëve, për deputet, për kryetar bashkie dhe për këshillat vendorë, paraqet kërkesën dhe formularin e plotësuar të aplikimit pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në lidhje me ekzistencën për ta, të informacioneve në dokumente të ish-sigurimit të shtetit, për qëllime të transparencës së pastërtisë së figurës.

Relacioni shpjegues kodi zgjedhor

“Rastet flagrante dhe shqetësuese të pasqyruara në shkresën informuese të Autoritetit drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me Çertifikatën e pastërtisë së figurës në fakt rezultojnë në dokumentat e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, kërkojnë një adresim dhe reagim të menjëhershëm.

Për këto raste duhet të kryhet transparencë e plotë dhe pengesat në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen me qëllim zbardhjen e të vërtetës sipas vlerave demokratike të drejtësisë si përgjegjësi për brezat e ardhshëm, por mbi të gjitha detyrim për ata që vuajtën nën regjimin e kaluar.

Nisma ligjore propozon shfuqizimin e pikës 4 të nenit 29 të Ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar, ku shprehimisht thuhet:

“Kërkesa për informim mbi zyrtarë përpara emërimit ose ngritjes në detyrë: 4. Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike kur ata kanë marrë certifikatën e pastërtisë së figurës nga institucionet përgjegjëse, sipas ligjit nr. 8001, datë 22.9.1995, “Për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare”, si dhe ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik””.

Kjo dispozitë ndaluese ligjore pengon Autoritetin të disponojë mbi kompetencën e dhënë nga ligjvënësi”, – thuhet në relacionin shpjegues.

Relacioni shpjegues ligji i dosjeve (1)

Top Channel