Më 21 korrik, autoritetet ruse akuzuan këshilltaren e pavarur të qytetit Novosibirsk, Khelga Pirogova, për shpërndarjen e “informacionit të rremë që diskrediton forcat e armatosura” dhe nisën një hetim penal. Të nesërmen, ajo u largua në Gjeorgji në heshtje.
“Miqtë e mi më informuan se ishte hapur një çështje penale ndaj meje”, tha Pirogova në një intervistë telefonike ekskluzive për Siberia Realities të Radios Evropa e Lirë.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt”.
Në mëngjesin e 21 korrikut, tha ajo, kur ende përballej vetëm me një akuzë administrative, nuk e kishte ndërmend të largohej nga Rusia.
“Unë do të kisha qëndruar”, tha ajo. “Isha gati për marrje në pyetje dhe burg”.
Por, një kallëzim penal dhe perspektiva e dënimit me burgim deri në 10 vjet ishte një tjetër çështje për deputeten 33-vjeçare, e cila është disa muajshe shtatzënë me fëmijën e saj të parë.
“Zgjedhja ishte ndërmjet [dëshirës sime për të luftuar akuzat] dhe jo vetëm lirisë sime, por të ardhmes së fëmijës tim”, tha ajo. “Nuk mund ta lejoja që të futesha në burg menjëherë pas lindjes së foshnjës”.
Prigorova u zgjodh në Këshillin e qytetit të Novosibirskut me mbështetjen e liderit politik të opozitës, Aleksei Navalny, në vitin 2020.
Që atëherë, vetë Navalny është burgosur me akuza që ai i hedh poshtë si të motivuara politikisht dhe shumë nga mbështetësit e tij aktivë janë ndjekur penalisht ose janë detyruar të largohen nga vendi.
Në qershor 2021, Fondacioni Kundër Korrupsionit i Navalnyt dhe rrjeti i tij i zyrave rajonale u mbyllën pasi u cilësuan si organizata “ekstremiste” nga Qeveria ruse.
Në fillim të këtij muaji, politikani i shquar i opozitës, Ilya Yashin, u akuzua sipas të njëjtit ligj për “diskreditimin e forcave të armatosura”, të cilin presidenti Vladimir Putin e nënshkroi vetëm disa ditë pasi filloi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt.
Deputeti i këshillit të rrethit të Moskës, Aleksei Gorinov, ështe zyrtari i parë i zgjedhur që u dënua sipas këtij ligji me shtatë vjet burgim.
Akuzat kundër Pirogovas burojnë nga një postim në Twitter në mes të korrikut, në të cilin ajo komentonte në mënyrë sarkastike për rusët e varfër që shprehnin mirënjohje ndaj qeverisë që pagoi për funeralet e të afërmve të tyre të vrarë duke luftuar në Ukrainë.
“Më dukej e tmerrshme që të afërmit që sapo kishin humbur një burrë, një vëlla apo një djalë, në vend që të vajtojnë për faktin që i dashuri i tyre u largua, mahniteshin që u ishte organizuar një funeral kaq i mrekullueshëm me kaq shumë ushqime, në të cilin funeral ju mund të ftonit gjysmën e fshatit”, tha Pirogova.
Pirogova e fshiu shpejt postimin, por “screenshot-i” u bë viral. “E rilexova dhe pashë se mund të kuptohet në mënyrë të gabuar”, tha ajo duke shtuar: “Dhe, është kuptuar në mënyrë të gabuar”.
Postimi, tha ajo, ishte “shumë emocional”.
Edhe pse ajo fshiu postimin, nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Novosibirskut, Andrei Panfyorov, i partisë në pushtet Rusia e Bashkuar, denoncoi Pirogovan në Komitetin Hetues dhe nisi hetimin kundër saj.
Por, Pirogova beson se postimi i saj në Twitter ishte vetëm një pretekst, pasi ajo ishte kritike e hapur e Putinit dhe luftës në Ukrainë.
“Qëllimi i tyre i vetëm është që t’i dëbojnë të gjithë njerëzit me bindje opozitare nga vendi”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë. “Nuk ka rëndësi se çfarë preteksti përdorin”.
Kur Pirogova mori vesh për akuzat penale kundër saj, ajo mori vendimin të largohej menjëherë nga Rusia.
“E kuptova që nuk kisha kohë as t’i mblidhja gjërat”, tha ajo. “Ata mund të më prisnin kudo”.
“Isha në qendër të qytetit dhe shkova direkt në aeroport”, vazhdoi ajo.
“Nuk mund të them se kush më ka ndihmuar të blej biletën, por nuk e kam pasur problem t’i kaloj kufijtë, as në Rusi dhe as në Gjeorgji. Nuk kishin arritur ende të më fusnin në listën e ndalimit të fluturimeve… Kjo është një nga arsyet pse mendoj se qëllimi i tyre i vërtetë ishte të më shtynin të largohesha nga vendi”.
Që kur u largua nga Rusia, ajo thotë se i është hequr barra e autocensurës. Ajo kujtoi se sa e çuditshme ishte për të që e quajti hapur luftën në Ukrainë një “luftë” gjatë intervistave me gazetarë nga Gjeorgjia.
“Të jem e sinqertë, ishte mjaft e çuditshme”, tha ajo. “Ka vazhduar për pesë muaj dhe tani për herë të parë, pa menduar, pa hezituar apo filtruar fjalët e tua, mund të thuash vetëm ‘luftë’ dhe të mos kesh frikë”.
Ajo shtoi se ka kaluar nëpër postimet e saj në mediat sociale në muajt e fundit dhe ka shtuar komente që tregojnë se atë që donte të thoshte me të vërtetë.
Pirogova planifikon të vazhdojë punën si anëtare e këshillit të qytetit nga distanca për aq kohë sa të jetë e mundur./Radio Evropa e Lirë
Top Channel