Dritan Abazoviç reagoi po aq ashpër ndaj presidentit Milo Gjukanovic, sa ç’ishte dhe akuza e këtij të fundit ndaj kryeministrit malazez për marrëveshje me Kishën Serbe, ndërsa e fshikulloi dhe për Ballkanin e Hapur.
Abazoviç iu kthye duke thënë se kreu i shtetit e ka marrë tashmë gjykimin e tij.
Dritan Abazoviç: Atë tashmë e kanë gjykuar votuesit, për gjyqe e për histori duhet të presim, unë jam i gatshëm. Jam shumë i përgatitur për të gjitha, sesa janë edhe të tjerët të gatshëm, këtë do ta tregojë koha.
Një ditë më parë, presidenti malazez përdori tone të ashpra ndaj Abazoviçit, duke thënë se shefi i ekzekutivit nuk mund të shmangë përgjegjësinë historike të lëvizjeve të tij. Për Gjukanoviçin, me firmosjen e marrëveshjes, Serbia “mori një dhuratë nga ëndrrat e saj historike.
Milo Gjukanoviç: Cilado qoftë arsyeja e një hapi të tillë, asnjë organ shtetëror apo individ nuk do ta shmangë dot përgjegjësinë historike.
Presidenti malazez e goditi kryeministrin e tij edhe për qëndrimin ndaj Open Balkan. Ai u shpreh hapur se qëllimi i autorëve të idesë së “Ballkanit të Hapur” është zhdukja e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe shtoi se kjo, padyshim, do të përfundonte me “luftë dhe një gjenocid tjetër”.
Dy javë më parë, kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) e Gjukanovicit vendosi njëzëri t’i ndërpriste mbështetjen për Qeverisë së Malit të Zi të drejtuar nga Abazovic, me pretendimin se Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, e votuar nga shumica e ministrave , kërcënon interesat kombëtare të vendit. Për shkak të tërheqjes së disa aleatëve, ekzekutivi malazez mund t’i nënshtrohet në të ardhmen një mocioni mosbesimi.
Top Channel