Autoriteti i Dosjeve ka reaguar pas spekulimeve se ish-presidenti Ilir Meta është politikani me inicialet I.M që ka rezultuar pjesë e dosjeve sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit.
Autoriteti thekson se të gjithë të interesuarit duhet të të ndjekin rrugën ligjore për informim mbi këtë çështje, ndërsa shton se të drejtën e informimit për dosje të ish-Sigurimit të Shtetit mund ta ushtrojë çdo palë e prekur apo e përmendur.
Autoriteti përgënjeshtron informacionet që referojnë vendime dhe dosje të shtetasve të ndryshëm pjesë e punës së përditshme.
Ilir Meta mohoi pretendimet se ai është politikani me inicialet I.M që ka rezultuar pjesë e dosjeve sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit.
Ai sfidoi autoritetin e dosjeve që të bëjë publike dokumentet, ndërsa duke u kthyer pas në të shkuarën e tij Ilir Meta kujtoi se në Fakultetin Ekonomik ku ai ka kryer studimet ishin me dhjetëra studentë me të njëjtat inciale, madje edhe një shoku tij i klasës kishte të njëjtin emër dhe mbiemër.
Ilir Meta e cilësoi lojë politike, ndërsa sulmoi ashpër Autoritetin e Dosjeve duke e akuzuar për falsifikim të dokumenteve, pasi sipas tij prej vitit ‘92 ai është nënshtruar të gjitha verifikimeve dhe e shkuara e tij ka dalë e pastër.
Për njollosjen e emrit nuk do i drejtohet drejtësisë ndërsa thotë se nuk ka marrë asnjë dokument nga Autoriteti i Dosjeve dhe as nga kryetarja e Kuvendit për të cilën tregoi se i ka humbur respekti.
Institucioni është në pritje të ndryshimeve ligjore të propozuara, për të kryer kërkimet dhe verifikimet përkatëse për rastet, duke theksuar se rastet e referuara Kuvendit nuk janë objekt verifikimi, për shkak të pengesës ligjore.
Postimi i plotë i Autoritetit të Dosjeve:
𝐌𝐛𝐢 𝐫𝐞𝐚𝐠𝐢𝐦𝐞𝐭 𝐦𝐛𝐢 𝐧𝐣𝐨𝐟𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐀𝐮𝐭𝐨𝐫𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐩𝐞̈𝐫 𝐩𝐫𝐨𝐛𝐥𝐞𝐦𝐚𝐭𝐢𝐤𝐚𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐳𝐛𝐚𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐥𝐢𝐠𝐣𝐢𝐭 𝐧𝐫. 𝟒𝟓/ 𝟐𝟎𝟏𝟓 𝐢 𝐧𝐝𝐫𝐲𝐬𝐡𝐮𝐚𝐫
𝐓𝐢𝐫𝐚𝐧𝐞̈, 𝟐𝟕 𝐤𝐨𝐫𝐫𝐢𝐤 𝟐𝟎𝟐𝟐 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit doli me njoftim zyrtar më 26 korrik, mbi problematikat në verifikimin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve, funksionarëve të lartë publikë dhe të zgjedhurve qendrorë e vendorë, informacione që iu përcollën, me propozimet përkatëse, Kuvendit të Shqipërisë.
Gjatë kësaj kohe, kanë qarkulluar shumë interpretime mbi informacionin e përcjellë nga institucioni. Autoriteti përgënjeshtron lajmet që referojnë vendime dhe dosje të shtetasve të ndryshëm, (si ai nr. 227, datë 27.05.2022) pjesë e punës së përditshme, të publikuara rregullisht në faqen zyrtare.
Institucioni fton të gjithë të interesuarit të ndjekin rrugën ligjore për informim, bazuar në ligjin nr. 119/2014, “Për të drejtën e informimit” dhe ligjin nr. 45/2015, i ndryshuar. Të drejtën e informimit për dosje të ish-Sigurimit të Shtetit mund ta ushtrojë çdo palë e prekur apo e përmendur. Autoriteti verifikon me përgjegjësi profesionale çdo pretendim mbi materiale të referuara apo kërkuara. Aktualisht, institucioni po trajton për përgjigje kërkesat për informim mbi njoftimin e datës 26 korrik.
Autoriteti nuk ndikohet në ushtrimin e veprimtarisë së tij për informim dhe vijon punën, bazuar në ligjshmëri, transparencë, mbrojtje të së drejtës për jetë private dhe të dhënave personale, mbrojtje të të dhënave që përbëjnë informacion të klasifikuar dhe bashkëpunim mes institucioneve shtetërore.
Institucioni është në pritje të ndryshimeve ligjore të propozuara, për të kryer kërkimet dhe verifikimet përkatëse për rastet, që do të marrin kohën e tyre të trajtimit. Rastet e referuara Kuvendit nuk janë objekt verifikimi, për shkak të pengesës ligjore të cituar më herët.
Në Shqipëri sipas ligjit ndalohet marrja e një detyre publike nga ish bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit vetëm për drejtuesit e organeve të reja të drejtësisë. Nëse shumica socialiste do të hartojë një projektligj të ri që do të ndalonte kandidimin e politikanëve bashkëpunëtor të ish-sigurimit do t’i duhen 84 vota bashkë me një ndryshim kushtetues.
Top Channel