Dje u kap me arsenal armësh në makinë, ish-policit të RENEA-s i kontrollohet banesa, ja çfarë gjen policia

27/07/2022 08:57

Policia zbuloi edhe një bazë tjetër ku ish-efektivi i RENEA-s, 39 -vjeçari Remal Rada mbante armë municione dhe paisje të tjera të ndaluara.

Gjatë kontrollit në një banesë, në zonën e quajtur “Selitë e Vjetër”, efektivët e policisë gjetën edhe një armë zjarri pistoletë, 13 pajisje të ndryshme fiksuese dhe shtrënguese si ato të armëve, municion luftarak, këllëf pistoletë, 2 radio Policie, një aparaturë valësh, dy elektrikë dore, njëri prej tyre me mbishkrimin “Policia”, 4 thika, targa shqiptare dhe të huaja, jelek multifunksional me mbishkrimin “RENEA”, shënjestër optike, 15 aparate celularë dhe sende të tjera.

Ndërsa mbrëmjen e së hënës ish-oficeri i policisë së bashku me shokun e tij Elton Hidhi, i dënuar më parë për vjedhje, u vunë në pranga pasi u kapën duke lëvizur në kryeqytet me një arsenal armësh në makinë.

Materialet e sekuestruara janë dërguar në laboratorin shkencor për tu analizuar. Ish-oficeri dhe miku i tij nuk kane folur para uniformave blu mbi arsyen pse dispononin armë zjarri dhe pajisje të tjera.

Policia ka dyshime se ish-oficeri mund të jetë përfshirë në grupe kriminale duke kryer vepra penale me pagesë.

Zbërthimi i celularit të tij por edhe analizimi i gjithë provave mund t’i japë dritë jeshile thellimit të hetimit dhe zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

 

 

 

Top Channel