Autoritetet ruse thanë të hënën se një sulm me raketa që trupat e saj ndërmorën ndaj portit të Odesës në Ukrainë, nuk duhet të ndikojë tek marrëveshja për të rifilluar eksportet e drithit.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se raketat goditën vetëm infrastrukturën ushtarake dhe jo atë që përdoret për eksportin e drithit.

Fillimisht Rusia e mohoi përfshirjen në sulmin e së shtunës, por të dielën ndryshoi qëndrim dhe tha se trupat e saj ishin përgjegjëse.

Zyrtarët ukrainas kanë bërë të ditur se po vazhdojnë me përpjekjet për të rifilluar eksportin e drithit, bazuar në marrëveshjen e firmosur nga Kievi dhe Moska në Stamboll.

Kombet e Bashkuara dhe Turqia ndërmjetësuan në arritjen e marrëveshjes, sipas së cilës flota ruse në Detin e Zi duhet të lejojë kalimin e sigurt nëpër zonat që Moska ka bllokuar, që prej fillimit të sulmin në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Marrëveshja u përshëndet si një hap i rëndësishëm drejt zbutjes së një krize globale ushqimore. Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres e quajti atë “një dritë shprese, mundësish e lehtësimi”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kritikoi Rusinë pas sulmit në portin e Odesës, duke thënë se një gjë e tillë rrezikonte marrëveshjen mbi drithin.

Në një reagim të tij, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se sulmi “hedh dyshime serioze mbi besueshmërinë e angazhimit të Rusisë ndaj marrëveshjes dhe minon punën e OKB-së, Turqisë dhe Ukrainës për të dërguar produkte jetike ushqimore në tregjet ndërkombëtare”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA