Ish-presidenti Ilir Meta, një ditë pas largimit nga Presidenca u shpreh se nuk do të marrë drejtimin e LSI-së, por do të luftojë për referendumin me në qendër shqiptarët dhe mos nëpërkëmbjen e shtetit.
Sipas Metës, vendi po humb ekzistencën dhe e vetmja shpresë për ndryshimin e vendit është referendumi.
“Nuk jam këtu për të marrë drejtimin e LSI-së, unë këtë drejtim e lash me vullnet dhe ndërgjegje të lirë para 5 viteve për shkak të rrethanave për tejkalimin e një ngërçi politik dhe dihet qartë se çfarë pasojash bëri për vendin, jam këtu për të sjellë mesazhin e popullit të 2 marsit që pjesë e sinqertë ishte edhe LSI në ato momente për t’ju bashkuar së bashku në triumfin e mesazhit të 2 marsit dhe ai është sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit dhe popullit shqiptar i përket drejtpërdrejt dhe do të bëhet në mënyrë të padiskutueshme. Zvicra nuk ka asgjë më shumë se sa Shqipëria. Partia e referendumit na pret përpara, partia e 2 marsit, kjo na çon përpara, referendumi do jetë shpata e Demokleut, mbi kleptokratatët, ata që abuzojnë me besimin e popullit të Shqipërisë dhe kanë vonuar integrimin evropian të Shqipërisë”, tha Meta.
Meta e la të hapur bashkëpunimin me ish-kryeministrin Sali Berisha, duke theksuar se do të bashkëpunonte me çdo shqiptar të ndershëm që synon mos nëpërkëmbjen e shtetit shqiptar.
Gazetarja: Do të bashkëpunoni me Berishën?
Meta: Do të bashkëpunojmë me çdo shqiptar të ndershëm që synon mos nëpërkëmbjen e shtetit shqiptar. Nuk jam në garë as me Berishën dhe s’kam qenë në garë as me Lulushin, kam që në 2 mars që dua të bashkohemi, Shqipërinë e ndryshon vetëm referendumi, ajo është primarja e primareve, referendumi është vetë Shqipëria se është vendosur në pikëpyetjeje ekzistenca e këtij populli, të gjithë politikanët do të kenë respekt edhe për votën dhe të mendohen mirë para se të japin premtime.
Gazetarja: Berisha ju ka ftuar në fron opozitar por duke e bërë të qartë se koka e frontit do jetë PD, a rikthehet Meta për të qenë 2-shi?
Meta: Kam një pushtet të jashtëzakonshëm, e kam të vështirë të dal në rrugë se mund të vonohem në takime, triumfi i partisë së referendumit, ua kam lënë të gjitha bashkitë, edhe qeveritë, unë jam vetëm për referendumin.
Kujtojmë se 24 korriku ishte dita e fundit si president i Metës, i cili i la vendin Bajram Begajt.
Më 10 maj, Meta, i ftuar në emisionin “Top Story” u shpreh se më 25 korrik fillon ekzekutimi i frikës dhe nis rikthimi i transparencës dhe llogaridhënies në çdo nivel.
“Jap një premtim solemn para të gjithë shqiptarëve, si ish-student i dhjetorit ’90-ës, për të gjithë ata që donin të asgjësonin pluralizmin, se me 25 korrik fillon ekzekutimi i frikës dhe nis rikthimi i transparencës dhe llogaridhënies në çdo nivel. Nis një luftë e pa kompromis kundër mafies lokale, rajonale dhe ndërkombëtare”, tha Meta.
Top Channel