Prokuroria e Nju Jorkut ka ngritur akuza ndaj ish-ligjvënësit nga Indiana Stephen Buyer, drejtues i një kompanie që operon në fushën e teknologjisë, i cili ka përfituar në mënyrë të paligjshme, falë shitjes dhe blerjes së aksioneve në bursë, bazuar në informacione sekrete që nuk janë parashikuar për konsum publik.

Po kështu në dy raste të veçanta, janë ngritur akuza ndaj një personi që po përgatitej për të qenë agjent i FBI-së, si dhe një bankieri në fushën e investimeve. Këto çështje janë në mesin e aktpadive të ngritura ndaj nëntë personave në qytetin e Nju Jorkut, të përfshirë në katër skema të veçanta të përdorimit në mënyrë të paligjshme të informacionit të brendshëm, që u bënë publike sot.

Ky konsiderohet si një nga aksionet më domethënëse nga ana e forcave të zbatimit të ligjit ndaj kësaj dukurie në një dekadë. Prokurori Damian Williams dhe zyrtarë të tjerë federalë u zotuan të rrisin përpjekjet për ndjekje penale të ngjashme në të ardhmen. Ata thanë se të akuzuarit kanë përfituar në rrugë të paligjshme miliona dollarë.

Në një konferencë shtypi Prokurori Williams tha se rastet, janë vazhdimësi e premtimit të tij për të qenë “i vendosur në çrrënjosjen e veprimtarive kriminale në tregjet financiare (amerikane)”.

Në aktakuzën e ngritur ndaj Stephen Buyer thuhej se ai përvetësoi sekretet që kishte mësuar si konsulent, për të fituar rreth 350,000 dollarë në mënyrë të paligjshme. Ligjvënësi republikan ka shërbyer në komisionin që mbikëqyr industrinë e telekomunikacionit, nga viti 1993 deri në vitin 2011.

Zoti Buyer, i cili u arrestua të hënën në Indiana, akuzohet se ka përdorur informacione sekrete për të blerë aksione gjatë një procesi bashkimi mes kompanive telefonike T-Mobile dhe Sprint, mes disa të tjerash. Në dokumente thuhet se ai përdori punën e tij si konsulent dhe lobist për përfitime të paligjshme.

Avokati i tij nuk iu përgjigj menjëherë një mesazhi me email për komente mbi çështjen.

Në një çështje civile, ngritur nga Komisioni Federal i Letrave me Vlerë në Manhatan kundër zotit Buyer, thuhej se ai bleu letra me vlerë të kompanisë Sprint në mars 2018, vetëm një ditë pasi mori pjesë në një lojë golfi me një ekzekutiv të kompanisë T-Mobile, i cili i foli ish-ligjvënësit mbi gjendjen e kompanisë dhe planet jopublike për të blerë Sprint-in.

Zoti Grewal tha se arrestimet nuk kishin për qëllim vetëm t’u dërgonin një sinjal profesionistëve të industrisë financiare për të mbrojtur sekretet dhe për të zbatuar ligjin, por synonin gjithashtu t’i dërgonin një mesazh po aq të fortë publikut” se entet rregullatore dhe strukturat e zbatimit të ligjit, janë përqendruar në mbajtjen e tregjeve të pastra.

‘Në një padi të dytë, tre drejtues të një kompanie të teknologjisë në Silicon Valley akuzohen për përdorimin e paligjshëm të informacionit të brendshëm që lidhej me një rast bashkimi korporatash, informacion të cilin, njëri prej tyre e mësoi nga punëdhënësi i tij.

Në një rast të tretë, një person që po përgatitej për t’u bërë agjent i FBI-së dyshohet se ka vjedhur informacione të brendshme nga ish e dashura e tij, e cila në atë kohë punonte në një firmë të madhe ligjore në Uashington. Sipas dokumenteve të gjykatës, ai dhe një mik i tij përftuan në rrugë të paligjshme më shumë se 1.4 milionë dollarë pasi mësuan se kompania Merck & Co do të blinte Pandion Therapeutics.

Në aktakuzën e katërt, thuhej se një bankier investimesh me bazë në Nju Jork kishte ndarë informacione sekrete me një tjetër person mbi bashkime të mundshme kompanish, duke rënë dakord që të ndanin përfitime të paligjshme në vlerën e rreth 280,000 dollarëve./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA