​Tjetër goditje për Putin: Kina braktis investimet në Rusi

25/07/2022 22:22

Kina nuk ka financuar projekte të reja infrastrukturore në Rusi prej muajsh, pasi Pekini është i preokupuar me parandalimin e një krize financiare në vend.

Financimi dhe investimet përmes projekteve në kuadër të Iniciativës Botërore të Rripit dhe Rrugës së Kinës (BRI) u ulën në 28.4 miliardë dollarë në gjashtë muajt e parë të 2022, rreth 1 miliard dollarë më pak se 29.4 miliardë dollarë të shpenzuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas një raporti nga Universiteti Fudan i Shangait.

Gjatë kësaj periudhe, nuk ka pasur ndarje të reja për projekte në Rusi, Sri Lanka apo Egjipt, vende që më parë kanë qenë përfituesit kryesorë të investimeve kineze.

Mungesa e aktivitetit në Rusi sugjeron që kompanitë kineze mund të kenë frikë se do të bien viktimë e sanksioneve dytësore të vendosura kundër Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë, pavarësisht se Rusia dhe Kina këmbëngulën në prag të luftës se miqësia e tyre “nuk njeh kufij”.

BRI është një plan për një numër projektesh infrastrukturore që Kina miratoi zyrtarisht në 2013 në një përpjekje për të zgjeruar ndikimin kinez në Azi, Afrikë, Amerikën e Jugut dhe pjesë të Evropës Lindore.

Si pjesë e kësaj, Kina deri më tani ka investuar pothuajse një trilion dollarë në projekte të ndryshme në vendet në zhvillim, duke krijuar kështu vende pune për kompanitë e saj atje dhe shpesh duke siguruar terren në vende me rëndësi strategjike.

Por pas vitit 2017, investimet kineze janë në rënie, si pasojë e kontrolleve gjithnjë e më të rrepta të kapitalit në vetë Kinën, si dhe polemikave rreth disa projekteve që hasën në vështirësi. Investimi i Kinës në termocentralet me qymyr ka ngecur, duke eliminuar një nga burimet e fundit kryesore të financimit për karburantin.

Autorët e raportit thonë se më shumë se gjysma e projekteve për ndërtimin e termocentraleve me qymyr, si pjesë e planit të BRI-së, tani janë pezulluar, transmeton Telegrafi britanik.

Ngadalësimi i investimeve kineze është bërë më i theksuar edhe si pasojë e pandemisë, e cila ka bërë që shumë vende të kenë probleme me shlyerjen e kësteve të kredisë për bankat kineze që janë paguar për projektet BRI. Një prej tyre është Sri Lanka, ku qeveria ra për shkak të rritjes shpërthyese të inflacionit. Shpenzimet totale kineze për BRI u ulën me 40% krahasuar me gjysmën e parë të 2019.

Në 6 muajt e fundit, Pekini investoi pothuajse 11.8 miliardë dollarë në investime dhe 16.5 miliardë dollarë në kontrata ndërtimi si pjesë e projekteve të BRI. Energjia dhe transporti janë sektorët që kanë marrë pjesën më të madhe të parave, rreth 73% e gjithçka të kontraktuar nga janari deri në qershor 2022.

Arabia Saudite mori rreth 5.5 miliardë dollarë fonde të reja, ndërsa Iraku mori rreth 1.5 miliardë dollarë. Që nga fillimi i programit në vitin 2013, Rusia ka qenë marrësi i dytë më i madh i investimeve në sektorin e energjisë.

Autorët e raportit thonë se investimet kineze jashtë vendit përmes programit BRI ka shumë të ngjarë të vazhdojnë të ngadalësohen në pjesën e dytë të këtij viti, kryesisht për shkak të luftës në Ukrainë, rregulloreve të rrepta të bllokimit në Kinë dhe pasigurisë globale që rrethon Covid 19.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA