Vetting për të hyrë në Angli! Lajmërohen rregullat e reja të kontrolleve që në aeroportet e huaja

22/07/2022 15:05

Ministrja e Brendshme britanike Priti Patel, ka njoftuar planet e reja që do të aplikohen për të hyrë në Britani, duke filluar nga kontrolli i pasaportave përmes “korridoreve contactless”,  falë teknologjisë së njohjes faciale deri te vizitorët e huaj, të cilëve do u verifikohen rekordet kriminale, të paraqesin të dhënat biografike dhe biometrike që do të kalojnë përmes një para-vettingu automatik në listat dhe databazat kriminale e deri te pagesa prej 18 stërlinash siç veprohet me sistemin amerikant ETA.  

Sipas Home Office, që është Ministria e Brendshme dhe e Emigracionit, do u ndalohet hyrja në Britani vizitorëve që kanë kane qenë të dënuar për më shumë se një vit, që janë persona që kryejnë vazhdimisht vepra penale apo përbëjnë rrezik serioz dhe nuk i shërbejnë të mirës publike.

Linjave ajrore do u kërkohet të bëjnë verifikimin e pajisjes së lejes nga pasagjerët përpara se hipin në aeroplan, një sistem i ngjashëm si në Shtetet e Bashkuara, Kanada apo Australi. Këtë sistem, Ministrja e Brendshme e cilëson si një kontroll kufitar i përshtatshëm për shekullin 21.

Ndër masat e njoftuara, do të zgjerohet mosha e atyre që do të hyjnë përmes e-gates, ose portave elektronike, edhe për fëmijët nga 12 deri ne 10 vjeç, duke pakësuar kohën e udhëtimit të familjeve britanike dhe jo vetëm siç ka ndodhur kohët e fundit. Këto masa do të hyjnë në fuqi në vitin 2025.

Faktikisht, pas pandemisë, Britania ka lehtësuar shumë procesin e marrjes së vizave dhe linjat ajrore që fluturojnë nga Londra në Tiranë dhe anasjelltas janë në çdo fluturim plot për plot edhe pse fluturojnë mesatarisht 3-4 herë në ditë apo edhe më shumë në sezonin e verës.

Top Channel