Kievi dhe Moska e firmosën marrëveshjen e shumëdiskutuar që i hap rrugën eksportit të miliona tonëve grurë ukrainas, të nevojitura dëshpërimisht në mjaft pjesë të botës, si edhe të drithit dhe fertilizuesve rusë.
Pakti i ndërmjetësuar nga Turqia jep fund një ngërçi që kërcënonte sigurinë e ushqimit anekënd globit.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e përshkroi atë si “marrëveshje për botën”.
Marrëveshja e re e firmosur në Stamboll mundëson bartjen e eksporteve të grurit nga Ukraina, teksa bota rrezikon të përballet me krizë ushqimore, kryesisht për shkak të sulmit të paprovokuar të Moskës në Ukrainë.
Ukrainën e ka përfaqësuar ministri i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov, ndërsa Rusinë, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se kjo ujdi do të ndihmojë në rritjen e sigurisë së ushqimit, por edhe në kontrollin e inflacionit që po mundon sot shumë vende.
“Jemi krenarë që jemi të përfshirë në këtë iniciativë, e cila do të ketë rol të madh në zgjidhjen e krizës globale, që ka qenë në axhendë për një kohë të gjatë. Marrëveshja do të parandalojë që miliona njerëz të përballen me urinë, e do të lehtësojë inflacionin e shtrenjtimin e ushqimeve. Shpresojmë që ky pakt të përbëjë një pikë kthese, sepse lufta nuk prek vetëm palët e përfshira në të, por të gjithë njerëzimin”, tha Erdogan.
Ukraina nuk e ka nënshkruar drejtpërdrejtë me Rusinë marrëveshjen, por me OKB-në dhe Turqinë, derisa edhe Rusia ka vepruar njëjtë.
Më shumë se 20 milionë tonë të grurit janë bllokuar në jug të Ukrainës, prej kur Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.
Agjencitë ruse të lajmeve kanë cituar disa burime të kenë thënë se do të rihapen tri porte ukrainase, duke përfshirë portin me të madh shtetëror të Odesas.
Top Channel